Kanë dalë negative analizat për koronavirus ndaj 50-vjeçares nga Lushnja që kishte ardhur nga Italia. Zonja në fjalë shfaqi probleme me frymëmarrjen e temperaturë dhe kishte shenja të gripit, por për të shmangur çdo dyshim për prekjen nga koronavirusi, duke marrë parasysh se ajo kishte ardhur edhe nga Italia fqinje e prekur nga ky virus, e dërguan në Tiranë për analizat.

Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik rezultati i analizave doli negativ. Edhe ditën e djeshme, drejtori i spitalit të Lushnjes tha se 50-vjeçarja kishte pasur simptoma normale të gripit. Gruaja kishte 2 ditë që kishte ardhur nga Padova e Italisë. Në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP në total numri i rasteve të testuara ka shkuar mbi 5o, dhe të gjitha kanë rezultuar negative.