Sonte do të bëhen fluturimet dhe lundrimet e fundit drejt Italisë, ndërsa nga ky moment do të pezullohen të gjitha udhëtimet ajrore dhe ato me traget drejt shtetit fqinj. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një komunikim me mediat, i bëri apel të gjitha agjencive ajrore që të zhvendosin datat e fluturimit dhe lundrimit për pasagjerët që i kanë prerë biletat, ashtu sikundër po vepron Air Albania. Ministrja kërkoi bashkëpunimin e ambasadës italiane në vendin tonë, që nëse do të ketë kërkesa për të tërhequr italianët që ndodhen në Shqipëri, ta bëjë këtë vetëm përmes avionëve që vijnë bosh në aeroportin e Rinasit. E njëjta gjë do të vlejë edhe për tragetet. Nëse ambasada vendos, do të duhet të vijën anije bosh nga Italia për të bërë të mundur tërheqjen e shtetasve italianë që ndodhen në Shqipëri. Personeli ajror dhe ai i trageteve, do të kontrollohen nga ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por udhëtimet drejt Italisë, nuk kufizohen për mallrat. Ministrja Balluku tha se të gjitha anijet tregtare apo fluturimet për mallra, nuk do të ndalohen, dhe personeli do të kontrollohet nga mjekët në porte apo aperoport. Po ashtu, ministrja i bëri apel qytetarëve që të përdorin shërbimet online dhe të mos shkojnë në sportele. “Është e patolerueshme për kushtet e sigurisë në të cilat ndodhemi për të parandaluar infektimin komunitar, që të paraqiteni në sportele. Drejtojuni shërbimit online”, theksoi Balluku. Ministrja bëri të ditur, se do merren masa për transportin urban brenda qytetit. “E kemi bërë një plan sot gjatë paradites, gjatë ditës do kemi një njoftim tjetër, orareve që do të ketë lëvizje, por jemi duke marrë edhe një masë për transportin ndërqytetas, që është më i vëshirë për t’u ndaluar”, tha ministrja Balluku.