UEFA nuk pushon së punuari, pasi duhet gjetur një zgjidhje për kampionatet. Synimi është 12 kampionatet, nga të cilat ka garues në Champions League dhe Europa League, të rinisin.

Kjo për të mos i dhënë avantazh asnjë skuadre në kompeticionet europiane.

Problemi kryesor është që në maj është e vështirë të rinisin kampionatet dhe opsioni tjetër është që të luhet përtej mesit të gushtit.

Dy opsione janë në tavolinë, që ndeshjet të luhen sikurse është kalendari tani, me ndeshjet e kampionateve në fundjavë dhe sfidat e europian enë mesjavë. Skenari tjetër është që të luhen fillimisht ndeshjet e kampionateve dhe kupave kombëtare, këto deri në mesin e muajit korrik.

Më pas të zhvillohet Champions League dhe Europa League, me finalet që do të luhen një javë pas mesit të gushtit. Kështu do të kishte 7-10 ditë pushim para nisjes së sezonit të ri, që mund të shtyhet për në 12 shtator dhe për t’u mbyllur më pas deri më 1 qershor të vitit 2021.

Nëse do të ndodhë që kampionatet të mos nisin edhe në mes të qershorit, atëherë do të vendosej në rrezik sezoni pasardhës dhe ndryshimi i formatit të Champions dhe Europa League do të jetë i detyrueshëm, duke i bërë gjysmëfinalet me një takim dhe më pas finalja të luhet pas 2-3 ditësh.