Kreu i Bashkisë garantoi qytetarët se në mjetet e transportit publik urban po vijon dezinfektimi. Gjithsesi, kryebashkiaku Veliaj apeloi që të gjithë në këto ditë të qëndrojnë në shtëpi dhe të përdorin vetëm në distanca të largëta mjetet e transportit publik. “Dua që të vazhdojmë edhe sot me masat për urbanët, do të duhet të bëjmë një konsultë me qeverinë se çfarë do të ndodhi me transportin publik. Lajm i mirë që ka rënë fluksi me 70 %. Kështu që duke qenë se ka rënë fluksi i pasagjerëve atëherë do të duhet të këshillojmë pasagjerët e mbetur, pra ata që nuk kanë mundësi tjetër që të ruajnë distancë njëri nga tjetri, tani që ka lirshmëri nëpër autobusë. Ajo që është shumë e rëndësishme është që të vazhdojë dezinfektimi siç kemi bërë çdo natë por ki parasysh që dezinfektimi pastron autobusin, çdo njeri që hyn e del paraqet rrezik. Kështu që këshilla për qytetarët është që nëqoftëse është për 2,3 stacione sidomos në Tiranë që kemi stacione çdo 50 metra, ato 2,3 stacione që absolute të nevojshme i bënë në këmbë. Megjithatë do të shohim si vazhdon historia sot dhe ndoshta do të duhem të marrim masa edhe më drastike”, tha ai teksa tha se Bashkia do të vazhdojë me gjoba për të gjithë ata që nuk respektojë rregullat e higjienës, madje për autobusët që në mënyrë sistematike nuk respektojnë, do të kërkohet edhe heqje e licencës.
Kreu i Bashkisë vlerësoi punën e mirë të bërë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit për ruajtjen e çmimeve nëpër tregje, ndërsa paralajmëroi edhe njëherë se kushdo që në këtë situatë do të tentojë të përfitojë duke spekuluar me çmimet do të merren masa. “ Dua të falenderoj AMK-n me situatën nëpër supermarkete. Më rezulton që në 90% të rasteve nuk kemi pasur abuzime, në ato pak raste ju falenderoj për gjobat që keni vënë dhe do jemi të pamëshirshëm me gjobat. Dua ti bëj një thirrje qytetarëve, nëse merrni 100 kuti dezifektantësh dhe nuk lini gjë për të tjerët do të kuptoni një gjë, nëse nuk ka për të gjithë do t’ju infektoi dikush tjetër që e ka, pra nuk je i sigurt nëqoftëse e ke vetëm ti. Kështu që ju lutem çdo gjë me karar edhe me masë. Çdo gjë me karar dyqanet janë të hapur përditë dhe nuk ka asnjë sens që në histeri e sipër duke dëgjuar të gjithë këta gjithollogët që as janë mjek, as janë epidemolog, as janë virolog që japin mend për çdo gjë në televizion po çmendemi. Ideja është të ruajmë edhe logjikën”, tha Veliaj
Nga sot, nuk do të lejohet asnjë që të trazojë në kazanët e plehrave. Veliaj theksoi se një nga masat do të jetë dhe ndalimi i qytetareve të cilët kërkojnë në kazanët e mbeturinave, si një masë e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. “Dua një kujdes të veçantë për kontenierët. Ka shtresa të shoqërisë që shkojnë nëpër kazanë për alumim. Po kësaj here polica duhet të jetë vërtetë e rreptë”, tha Veliaj.