Merr fund mak thi i pritjeve në rradhë të gjata e ecejaket nëpër zyra.
Një nga shërbimet më të kërkuara nga qytetarët dhe biznesi, “Vërtetimi i Detyrimeve Përmbarimore”, do të ofrohet online në e-Albania me kosto zero.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, mundësoi që ky shërbim të kalojë në e-Albania i njohur si “Aplikim për vërtetimin e detyrimeve përmbarimore” dhe tashmë qytetarët dhe bizneset nuk do të duhet të mbajnë radhë pranë zyrave përmbarimore. Atyre nuk do u kërkohen dokumente shoqëruese dhe as të bëjnë pagesë në bankë. I gjithë shërbimi kalon në sistemin e-Albania dhe përmes plotësimit të formularit me të dhënat individuale, vërtetimi do të merret me nënshkrim elektronik. Falë udhëzimit Nr. 2, datë 22.01.2020  “Për një ndryshim në  “Udhëzimin e përbashkët nr. 1276/5, datë 27.07.2017, ”Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”, menjëherë u hoq kriteri i pagesës si kusht për t’u pajisur me vërtetimin e detyrimeve përmbarimore.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit mundësoi zbatimin e menjëhershëm të tij dhe qytetarët tashmë do ndjekin vetëm procedurën online të shërbimit.
 
Hapat e procedurës në e-Albania: – Identifikohuni si qytetar/biznes në portal; – Zgjidhni shërbimin “Aplikim për vërtetimin e detyrimeve përmbarimore”; – Klikoni butonin “Përdor”; – Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme duke përzgjedhur dhe Zyrën Përmbarimore, së cilës i drejtoni kërkesën; – Klikoni butonin “Dërgo” në fund të faqes;
 
Aplikimi shkon drejt sistemit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, Zyra Vendore Përmbarimore përkatëse. Vërtetimi i detyrimeve përmbarimore dërgohet në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira e aplikantit në portalin e-Albania si dhe njofton me email aplikuesin për t’u paraqitur dhe tërhequr vërtetimin pranë zyrës përmbarimore. Realizimi i këtij shërbimi është pjesë e angazhimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit për të kaluar mbi 90 % shëbime publike online përmes portalit unik e-Albania.

Deri në fund të vitit, në e-Albania do të aksesohen 1384 shërbime. Ky revolucion dixhital po mundëson që qytetarët të mos mbajnë më radhë, të mos humbasin kohë me mbledhje dokumentesh apo të bien pre e abuzimeve të administratës, por përmes aksesit në e-Albania të marrin të gjithë shërbimet publike në kohë rekord. Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po trajnon mijëra punonjës për të përdorur sistemin e ri përmes të cilit dokumentet shoqëruese mblidhen nga vetë punonjësit e administratës, pa qenë nevoja që qytetarët të lodhen lart e poshtë nëpër zyra.