Ministri për Çështjet Rajonale dhe Autonomitë, Francesco Boccia ka pritur ekipin e mjekëve shqiptarë drejt rrugës për në spitalet e Barcias në ndihmë të të prekurve nga COVID-19.

Ai falënderoi 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që kanë mbërritur në Verona dhe janë drejtuar për në spitalet e Brescia të cilët u mirëpritën edhe nga presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, nga zv.ministri i Brendshëm, Vito Crimi si dhe nga deputeti i PD, Alfredo Bazoli.

Ministri Boccia e cilësoi një shenjë të madhe vëllazërore veprimin e bërë nga Shqipëria për t’i ardhur në ndihmë Italisë në përballjen me COVID-19.

“Mesazhi i Kryeministrit shqiptar Edi Rama është një himn për njerëzimin. Faleminderit shumë. Ky është një mësim për të gjithë”, deklaroi ministri italian, duke publikuar edhe video nga pritja e ekipit të mjekëve shqiptarë.

“Unë jam një nga ata që kam qenë në Bari në 8 gusht 1991, sepse unë jam lindur dhe rritur atje dhe e di se çfarë përfaqëson lidhja e vendit tuaj me Italinë. Kur mësova që do të vinit, mirënjohja dhe emocionet ishin dyfish. Faleminderit për këtë gjest vëllazërimi! Ju jeni një vend që e ka Italinë në lëkurën e tij”, deklaroi ministri italian.