Akademi.al është platforma që iu mundësuar nxënësve për të marrë leksionet dhe mësimet e tyre, në kohën kur shkollat janë të mbyllura për shkak të koronavirusit. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, në një postim në rrjetin Facebook, ka prezantuar krijuesin e platformës akademi.al, ku nxënësit po mësojnë falas leksione të matematikës dhe shkencave. Ajo ka publikuar një video-selfie të Dean Çelaj, i cili ka mbaruar studimet në “University College London” me bursë nga “Fondi i Ekselencës” nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

“Ju prezantoj Dean Çelaj-n, i cili me bursë të “Fondit të Ekselencës” mbylli studimet në Teknologji Informacioni në University College London me medalje “First Class Honours”. Deani është krijuesi i platformës Akademi.al, ku nxënësit patën mundësi të aksesojnë falas leksione të matematikës dhe shkencave” – shprehet Ministrja Shahini.Çelaj, në video-prezantim shprehet se platforma akademi.al kishte nisur si dëshirë e tij për të dhënë kontribut nga eksperienca e mbledhur ndër vite.

“Për shkak të kësaj situate emergjente, unë kam vendosur të ofroj falas 900 mësime në platformën akademi.al, në kanalin tonë në Youtube, si dhe në RTSH. Në bashkëpunim me MASR, po punojmë për të shtuar numrin e videove dhe për të mësuar sa më thjeshtë, ju mund të regjistroheni direkt te platforma akademi.al” – thotë Çelaj.