Kryeministri Edi Rama ndau sot një tjetër video sensibilizuese mbi pasojat e COVID-19, ndërsa theksoi se “të plagosurit e kësaj lufte të pashoqe nuk ushqejnë frikën, po vetëdijen se kjo nuk është një lojë, po një rezistencë për ekzistencë”.
Kryeministri ndau një video të publikuar nga “The Sun”, me mesazhin e një gruaje shtatzënë të prekur nga COVID-19.
“Jam 39 vjeçe në javën e 26 të shtatzënisë. Sapo më thanë se kam COVID-19 dhe kam qenë sëmurë prej 2 javësh. Kam që të shtunën në spital ndërsa sot është e mërkurë. Kam pneumoni në të dyja mushkëritë dhe po luftoj për vete dhe për bebin”, thotë 39-vjeçarja britanike.
Ajo i drejton një mesazh të gjithë atyre që mendojnë se nuk mund të preken nga ky virus.
“Nuk ia vlen të dalësh nga shtëpia. E di që mendoni që nuk do e merrni. Kam 3 fëmijë dhe një burrë në shtëpi që nuk i takoj dot. Nuk e di si e kam marrë por jam shumë sëmurë. Po j’ua them tani nëse do dilni me shoqërinë te diga për një birrë të pavlerë sepse moti është i mirë, do të merrni sëmundjen me vete në shtëpi dhe do vrisni dikë, ndonjërin nga familja juaj. Mjaft dolët, dëgjoni Borisin dhe thjesht mos dilni, nuk ia vlen”, shprehet ajo.