Mëngjesin e sotëm, Ambasada Amerikane doli në një deklaratë publike, ku i bëri thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë në Shqipëri të respektojnë masat në fuqi për përballimin e epidemisë së Covid-19.Kjo pason një tjetër deklaratë në të cilën pak orë më parë shkruhej: COVID-19 kërkon që cilido në Shqipëri – pavarësisht se kush je – të bashkohet në frymë dhe në veprime. Ashtu si Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Basha ranë dakord së bashku.
Kjo gjë qartësisht nuk ka ndodhur, sepse Kryeministri, Presidenti dhe lideri i opozitës deri dje kanë qenë në drejtime tërësisht të ndryshime dhe këtë Ambasada Amerikane e ka shumë të qartë.Presidenti Meta ka shpallur task forcën e tij personale për përballimin e sëmundjes, ndërsa kryeopozitari dje mbushi ekranet e televizioneve duke sulmuar masat e marra nga qeveria dhe mjekët.
Ndaj, duket se deklarata në fjalë ka edhe një nënkuptim të fortë: Bëhuni bashkë menjëherë sepse kjo është ajo për të cilën qytetarët kanë nevojë!Deklarata e plotë e Ambasadës Amerikane: “ COVID-19 kërkon që cilido në Shqipëri – pavarësisht se kush je – të bashkohet në frymë dhe në veprime. Ashtu si Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Basha ranë dakord së bashku, kjo është një kohë për veprime të qeta dhe praktike nga publiku, dhe veprime të shpejta e të përgjegjshme nga të gjithë udhëheqësit. Në këtë drejtim, edhe Ambasada do të zbatojë masat mbrojtëse bazë ndaj COVID-19 të rekomanduara nga OBSH-ja, përfshirë mbajtjen e largësisë midis personave dhe masa të rritura personale higjienike, si larja e shpeshtë e duarve. Do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të udhëhequr një përgjigje të bashkërenduar dhe transparente, e cila i mban të gjithë njerëzit në Shqipëri sa më të sigurt, të shëndetshëm dhe të informuar që të jetë e mundur”.