Pak orë pas evidentimit të rastit të parë me Covid 19 ka ardhur reagimi i kryebashkiakut të Matit Agron Malaj.
Në prononcimin e tij Malaj tha se fatkeqësisht edhe në rrethin e Matit u konstatua nga autoritetet e shëndetësisë personi i parë i infektuar me koronavirus.
“Ky rast, pohoi kryetari i bashkisë Mat, është i mbartur nga Fushë Kruja. Është rast sporadik dhe i izoluar. Fatkeqësisht është prekur nga Covid 19 një adoleshente, 16 vjeçe, ndërkojë 6 pjestarët e tjerë të familjes rezultojnë negative, nuk kanë asnjë problem deri tani”, theksoi Malaj.
Janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë familjarëve me gjithçka, ushqime, medikamente dhe nevoja të tjera. Drejtoria Vendore e Shëndetit Publik dhe Bashkia Mat kanë caktuar persona të kualifikuar për t’iu gjendur pranë familjes në Batër të Vogël, të Komsisë.
Sipas kryebashkiakut as në këtë fshat dhe as në territorin e Matit nuk ka vend për frikë e panik. Në lagjen ku banon aktualisht vajza e infektuar janë marrë tamponet për të gjithë qytetarët dhe situata po monitorohet me shumë kujdes.
“Unë, tha Malaj, u bëj thirrje të gjithë banorëve të Matit, të shmangin maksimalisht çdo kontakt me banorët e zonave të kuqe si dhe të zbatojnë me fanatizëm protokollet shëndetësore. Vetëm kështu rasti i parë do të mbetet i izoluar”.