Kryeministri Edi Rama ka qenë në një lidhje me Skype me emisionin “Zonë e Lirë”, ku ka folur për situatën e koronavirusit në vend. “Ata nuk kanë shkuar atje për lojë, por për luftë. Unë i lutem Zotit që të gjithë ata të kthehen shëndoshë e mirë, por janë në luftë. Nuk ka asnjë minoren në atë grup prej 30 vetash. Përgjigjen vet për vendimet e tyre”, ka thënë Rama. “Cila është gjendja jote psikologjike, duke qenë se që nga nëntori je duke drejtuar disa luftra, tërmetin e 26 nëntorit, tani bam coronavirusi. I bie që nga nëntori je prijës i luftërave të zeza. A mos ndoshta je bir i Zotit dhe nuk e dimë?”, e ka pyetur Çani Ramën. “Pse është kënaqësi kjo?

Nuk është kënaqësi, e sprovon njeriun në kufi që nuk e ke menduar asnjëherë se do provohesh. Tërmeti ishte një betejë e jashtëzakonshme, por kjo është lufta e III Botërore. Është një luftë ku faktikisht të gjitha shtetet pavarësisht sa të zhvilluara janë, janë kapur në befasi dhe janë të gjitha në mbrojtje. Është një luftë që e ka bërë zero kapacitetin e ushtrisë moderne amerikane dhe atë të ushtrisë modeste shqiptare”, ka thënë Rama.