Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka reaguar menjëherë pas pas kallzimit në SPAK nga ana e PD për akuzën e një tenderi për blerjen e ushqimeve për situatën emergjente të koronavirusit.Xhaçka nënvizon se e mirëpret padinë e PD, dhe inkurajon SPAK të hetojë me përparësi këtë akuzë, pasi qytetarët sot kanë nevojë për qartësi.
Ministrja e Mbrojtjes thotë se është e ulët dhe imorale që opozita në këtë kohë luftë ndaj pandemisë, vazhdon me shpikje të modelit “Babale”.
Postimi i plotë i Olta Xhaçkës:
E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi.
PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion.
Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit “Babale” në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!
I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi.Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales.