Jemi në vitin 2015. Kryeredaktori i The Guardian po përgatitet të lërë detyrën pas 20 vitesh në drejtimin e saj që nga 1995. Një gazetë që e mori nga vendi i nëntë në tregun britanik dhe e çoi në vendin e parë në tregun e mediave anglishtfolëse nga SHBA deri në Australi, në kohën kur gazetat po bliheshin nga pasanikët e çfarëdollojshëm si “gra trofe” dhe gjigandët e Sillicon Valley po bëheshin platforma më e madhe e shpërndarjes së informacionit në botë. Gazeta që publikoi historinë e përgjimeve të NSA me Snowden dhe për të cilën rrezikoi burgun nga një komision hetimi parlamentar në vendin e tij.
Gazeta që themeloi e praktikoi parimet e open journalism– gazetarisë së hapur, që eksperimentoi me web-in atëherë kur të gjithë u çoroditën nga formula reach before revenue, që i rezistoi joshjes së tabloidëve duke u mbetur besnik parimeve të gazetarisë si interes publik, që i rrëzoi muret e ngritura mes saj dhe lexuesve duke pranuar me përulje se lexuesit ishin më të ditur se gazetarët e duke nxitur bashkëpunimin për artikujt, duke u dhënë hapësirë argumenteve e komuniteteve. Gazeta që midis dilemave për ta bërë me pagesë informacionin, u dha besim lexuesve duke u dhënë statusin e anëtarëve në vend të abonentëve, sepse midis lajmit si produkt, lajmit si shërbim dhe lajmit si komunitet zgjodhi këtë të fundit.
Njeriu që nuk kishte nguruar t’i hipte avionit sa herë që nuhaste sinjale për botën që po vinte dhe të mësonte të fshehtat e teknologjisë nga djelmosha e çupërlina duke i vënë ato në përdorim të misionit të gazetarisë. Njeriu që përjetoi shndërrimin e gazetave në fletë opinionesh – nga newspaper në viewpaper. Që u lëkund disa herë me pyetjen torturuese: Çfarë është gazetaria? në përpjekjen titanike për të mbrojtur profesionin e gazetarëve, i cili dukej se po dilte jashtë loje në një botë që po i mbushte mendjen vetes se nuk kishte më nevojë për ndërmjetës dhe profesionistë të informacionit. Një botë që po lëvizte me shpejtësi drite drejt online-it me pajisje si celularët të cilët e aksesonin 150 herë në ditë. Një botë ku e drejta e publikut për të ditur ngatërrohet me interesin publik. Nëse misioni i gazetarisë është të ndajë të vërtetën nga e pavërteta dhe të synojë të publikojë të vërtetën, si do ta ndajmë nëse duhet publikuar historia e një futbollisti që tradhëton gruan e tij nga historia e përgjimeve të qeverisë ndaj qytetarëve të vet? Të dyja janë të vërteta, por jo të dyja janë interes publik.
Pra, çfarë porosish mund të kishte një kryeredaktor i tillë, me këtë histori mbi supe?
Alan Rusbridger mendonte se ende kishe vend për përmirësim. Ngrohja globale, thotë ai është tema që mund t’a kishim raportuar më mirë. Dakord, gazetaria është më e mirë në raportimin e gjërave pasi kanë ndodhur se sa në parashikimin e fatit. Por me ndihmën e shkencëtarëve që duhet të jenë më të pranishëm në lajme, ne duhet të jemi në gjendje të shohim çfarë na rezervon e ardhmja, mendon ai. “Brenda kohës së fëmijëve tanë do të kemi me shumë gjasa ndikime të jashtëzakonshme në banueshmërinë e planetit, me pasoja të pathëna për shëndetin, sigurinë, burimet, migrimin, ushqimin, ekonominë dhe sëmundjet. A mund të thotë dikush tjetër një histori më të madhe?”
Prill 2020. E mendoj Rusbrdiger në shtëpinë e tij në Londër këto ditë dhe përpiqem të imagjinoj çfarë ndjen një njeri kur shikon situatën me koronavirusin. Një njeri që besoi gjatë gjithë karrierës 40 vjeçare në gazetari se reporterët janë bletët e sistemit të informacionit. Dhe pa reporterët, sistemi vdes. Një njeri që nuk e pa domosdoshmërisht të keqe epokën e internetit, por u përpoq të përdorte të mirat e lidhjes që kjo botë solli në profesionin e gazetarit. Një njeri që luftoi me Murdoch-et dhe idetë e tyre për gazetarinë e re, të clickbait-eve, të metodave kriminale të përgjimeve dhe kulturës së bulizmit me burimet, të skandaleve bosh që rrënuan besimin e njerëzve tek gazetaria. E megjithatë, nuk ia tundën besimin se misioni i gazetarisë është të vendosë çështje me rëndësi të lartë në mjedisin publik në mënyrë që të debatohen dhe gjërat të ndryshojnë.
Në një kohë të pasigurive të mëdha ku askush nuk di asgjë, le të mbështetemi në ato që dimë, sugjeron Rusbridger. “Ne e dimë që lexuesit e shikuesit në mbarë botën mbështeten te- dhe duan- organe të lajmeve që premtojnë dhe japin gazetari të ndershme, kërkuese dhe trime. Dhe ne e dimë se megjithë falsitetin, urrejtjen dhe gënjeshtrat, ka gjëra të mrekullueshme në botën e re të informacionit: njerëz që lidhen me njeri tjetrin nëpërmjet rrjeteve të humanizmit, kompleksitetit, përvojave dhe integritetit. Këto dy botë, e reja dhe vjetra vazhdojnë të përplasen në një mjegull të dyshimit dhe keqkuptimit të ndërsjellë. Por përplasjet mund të çlirojnë energji. Kombinimi i këtyre dy botëve mund të jetë ende diçka e mrekullueshme.
Ka shenja, të vogla por shpresëdhënëse. Nëse bota zgjohet në kohë, mund të jemi në rregull. Më besoni, ne nuk e duam një botë pa LAJMIN.”
Ja pse libri i tij “Breaking News” është një lexim i domosdoshëm për gazetarët e rinj e të vjetër. Është një udhëtim mbresëlënës, por frymëzues në një mjedis ku shumë herë duket pa rrugëdalje, por që tregon se mund të fitohet.