Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut po përgatiten për zgjerimin e kapaciteteve për pranimin e personave të prekur nga koronavirusi, numri i të cilëve rritet nga 20 – 30 në ditë. Numri i përgjithshëm i të prekurve të enjten ka arritur në 384. Mjekët infektologë vlerësojnë se piku i COVID-19 në vend do të ndodhë në fund të muajit prill dhe në maj.
Autoritetet shëndetësore në Shkup po përgatisin një spital fushor ngjitur me Klinikën e sëmundjeve infektive në një kohë kur pandemia e koronavirusit po prek për çdo ditë nga mbi njëzet njerëz në Maqedoninë e Veriut. Mjekët vazhdojnë ta konsiderojnë këtë si një periudhë të ngritjes lineare të numrit të të infektuarve që nuk i shkakton ngarkesë sistemit shëndetësor.
Mjeku infektolog Fadil Cana nga Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se gjendja në klinikë aktualisht është e menaxhueshme, por nëse fluksi vazhdon të jetë i këtillë me pacientë të prekur, atëherë klinika do te stërmbushet, thotë ai:
“Për momentin në klinikë ka rreth 70 pacientë të hospitalizuar prej të cilëve një numër, varësisht nga gjendja klinike, ndodhen pranë qendrës për trajtim intensiv. Të tjerët kanë komplikime por në një gjendje mesatarisht të rëndë dhe janë hospitalizuar në pavione të tjera të Klinikës”, thotë z. Cana.
Mjekët kanë filluar terapinë me ilaçin kundër malarjes dhe Azitromicinën tek një pjesë e pacientëve të shtruar në klinikë.
“Me ilaçin antimalajes trajtojmë vetëm pacientët për të cilët gjykojmë se e kanë gjendjen e rënduar dhe marrim paraprakisht pëlqimin e vetë atyre pasi të jenë njoftuar me efektet e mundëshme anësore nga trajtimi me atë medikament. Tërë kohën jemi në konsultime me kardiologë. Për çdo ditë pacientit i bëhet një ekzaminim kardiologjik për të parë nëse duhet vazhduar me trajtimin ose jo”, thotë doktor Cana.
Sot mësohet se rreth tridhjetë raste të reja me koronavirus janë paraqitur në vend dhe një numër i konsiderueshëm i tyre të jetë personel mjekësor. Nga ana tjetër, në Dibër, e cila radhitet menjëherë pas Shkupit për nga numri i të infektuarve me koronavirus, për herë të parë në 24 orët e fundit nuk është regjistruar ndonjë rast i ri.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njofton ata qytetarë të cilët kanë kaluar një perdiudhë prej 14 ditësh në vetëizolim shtëpiak dhe nuk shfaqin simptoma, se ata nuk kanë nevojë të testohen në laboratorë.
Sa i përket masave shtrënguese, përkatësisht orës policore që ditëve të punës fillon nga ora 21 dhe përfundon në 6 të mëngjesit, zakonisht nuk përfillet nga dhjetra qytetarë, të cilët si rezultat ndëshkohen me gjoba që varësisht prej rrethanave, shkon deri në dy mijë euro. Në 24 orët e fundit janë ndaluar 72 persona prej të cilëve 41 janë arrestuar, sipas policisë.