Ndonëse coronavirusi nuk ka penguar prodhimin dhe shitjen e produkteve të fermerëve, ata kanë hasur jo pak në vështirësi gjatë masave kufizuese. Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi gjatë një interviste për ‘Ilva Now’, tha se investimet po fokusohen tek sektori i agro-përpunimit në mënyrë që të kompensohet dëmi.
“Çmimi i fruta-perimeve sidomos për ato që shkojnë për eksport varet shumë nga konjektuara ndërkombëtarë që nuk lidhen domosdoshmëri me cilësinë dhe koston e produktit. Kanë pasur luhatje të çmimit në treg për luleshtryllen dhe kastravecin. Jemi fokusuar dhe tek agro-përpunimi që të kompensojmë uljen e dëmeve në mënyrë që të gjithë këto nuk do të shiten si produkte të freskëta, të mos hidhen në kanal por do t’i kalojnë agro-përpunimit. Kemi financuar rritjen e sektorit të agro-përpunimit duke financuar kontrata deri në 60% të financimit”, u shpreh ministri.
Z. Çuçi duke folur për mënyrën e subvencionit që ofron qeveria shqiptare për fermerët, tha se ajo është e drejtpërdrejtë. “Çfarë paraje del nga buxheti shtetit për mbështetje në bujqësi, shkon direkt te fermeri”, tha ai.
Ministri i Bujqësisë foli më tej për zgjerimin e tregut të produkteve bujqësore shqiptare, duke e cilësuar si të vetmen mënyrë për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në këtë sektor, pasi tregu Shqipëri-Kosovë nuk është i mjaftueshëm.
“Ne duhet ta zgjerojmë tregun për produktet shqiptare. Nuk krijojmë dot zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë vetëm me 5 milionë shqiptar, ndaj duhet ta zgjerojmë tregun në eksport”, tha z. Çuçi.
Por ndërsa fruta-perimet kanë njohur rritje, sektori i peshkimit duket se është më i dëmtuari. Ministri tha se kjo vjen për shkak të rënies së kërkesës nga mbyllja e restoranteve dhe rënies së turizmit, por edhe pjesës së eksportit që ka qenë i bllokuar.
Sa i takon rezervave ushqimore, ministri tha se një nga aktet e para të qeverisë ka qenë urdhri për magazinat e mëdha që të sigurojnë rezerva për 3 muaj duke u garantuar se Rezervat e Shtetit do ua blejnë nëse u mbeten pa shitur.