Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka kaluar natën e dytë në kujdes intensiv, në spital, ku ndodhet i shtruar prej mbrëmjes së të dielës, për shkak se gjendja e tij u përkeqësua nga koronavirusi.
Ekspertët janë shprehur se Johnson do duhet të pushojë një ose dy muaj, pasi të shërohet, për shkak se do të pësojë një humbje të konsiderueshme të peshës dhe forcës së muskujve, shkruan “Daily Mail”. Ata parashikojnë se rimëkëmbja e kryeministrit pas tronditjes nga kujdesi intensiv për koronavirusin mund të zgjasë gjatë gjithë verës.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars, por u shtrua në spital vetëm dy ditë më parë, pasi i thanë mjekët se gjendja e tij nuk ishte e mirë dhe shenjat e COVID-19 nuk ishin larguar. Kryeministri po mbahet në spitalin St Thomas të Londrës “për monitorim të afërt”, tha Qeveria britanike.
Zëdhënësi i Johnsonit tha se gjendja e tij “është stabile”. Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj. Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, i cili po e zëvendëson Johnsonin, tha se është i bindur se kryeministri do të shërohet.