Bukuri njerëzore”, kështu e cilësoi Kryeministri Edi Rama historinë e Ana Lucës, kryeinfermieres në Spitalin Infektiv, e cila la me dëshirë postin si administratore e spitalit polivalent në QSUT dhe shkoi drejt e në zemër të Covid -19.
Ana Luca u rikthye në profesionin e saj, duke zëvendësuar kolegen që u prek nga koronavirus. “Isha me leje të zakonshme, kur mora vesh lajmin për rastet e para të infektuar në Shqipëri . Të nesërmen u ktheva menjëherë në punë dhe kërkova të rikthehesha në profesionin tim, atë të infermieres në spitalin Infektiv”, shprehet Ana”.
“Unë besoj në Zot”, kjo është thënia që Ana nuk harron asnjë ditë ta shkruaj te maska e saj, kur futet për të kryer shërbimin në ambientet e Spitalit Infektiv.
Orët e gjata të punës, 12 por ndonjëherë edhe 14 orë, nuk ja kanë zbehur shpresën se çdo gjë do kalojë shpejt e do takojë sërish të birin, të cilin nuk e ka parë prej 1 muaji nga frika se mos sëmuret dhe infekton edhe atë.
Momenti kur flet për merakun e të birit, është i vetmi kur heq buzëqeshjen nga fytyra dhe përlotet.
Brenda ambienteve të spitalit ku kurohen të prekurit me COVID, Ana nuk harron të shpërndajë edhe optimizmin dhe pozitivitetin e saj, pasi siç thotë ajo ai staf mjekësor është e vetmja familje për të prekurit nga COVID-19.
Ana Luca e mbyll rrëfimin me fjalët: “Dalshim të gjithë faqebardhë”.