Pas sinjaleve jo shumë pozitive të marra kohët e fundit nga shëndetësia në lidhje me koronavirusin UEFA ka shtyre afatin e fundit të përfundimit të kampionateve në Europë.
Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti i UEFA-s, i cili në një intervistë për kanalin ZDF është shprehur: “Gjithçka duhet të ketë përfunduar deri më 3 gusht. Përfshirë këtu Champions dhe Europa League”.
Për të përmbushur këtë afat një gjë është e sigurtë, që me shumë mundësi do të luhet edhe pa tifozë.
Kushti i vetëm është që të luhet me patjetër, por duke parë ngjeshjen e kampionateve dhe kohën e mbetur në dispozicion UEFA po mendon disa variante se si mund të mbyllen Kupat e Europës deri më tre gusht.
Konkretisht për Champions League janë ngritur katër hipoteza, me të parën që është vijimi normal i kompeticionit në rast se koha do të jetë në dispozicion. Hipoteza e dytë është që ndeshjet nga çerekfinalet të mos luhen me sistem vajtje-ardhje, por me eliminim direkt. Sakaq dy opsionet e tjera janë ‘final-eight’ dhe ‘final-four’.
Për gjithçka më lart presidenti Ceferin konkretisht ka deklaruar: “Vendimi më i gabuar do të ishte ai për të luajtur duke rrezikuar futbollistët, tifozët dhe arbitrat. Por nëse është e sigurt se nuk rrezikohet shëndeti, atëherë nuk shoh asnjë problem. Sporti sjell energji. Kemi nevojë për sport. Njerëzit janë nervozë dhe në ankth. Sidoqoftë, mendojmë se është më mirë të luhet me dyer të mbyllura dhe njerëzit të shohin futboll në televizion.”