Nga Endri Kajsiu/

Të gjithë ata që kanë ndjekur rregullisht deklaratat e Lulzim Bashës gjatë kësaj periudhe të krizës, kanë vënë re se, përveç akuzave të cilat për shkak të mungesës së fantazisë së vetë kryetarit të PD dhe atyre që e mësojnë, ka patur edhe diçka tjetër që nuk ndryshonte. Deri sot, të paktën.Ishte orari. Lulzim Basha nuk ka dalë asnjëherë të flasë kaq herët, pasi kryetari i PD dihet tashmë që mund të bëjë kompromis me gjithçka, përveçse me gjumin. E vetmja kohë të cilën Lulzim Basha nuk do ta prekte kurrë, është koha që i kushton gjumit.
Po çfarë ndodhi sot, që Lulzim Basha u gdhi herët dhe nxitoi të dalë në deklaratë fytyrëngrysur? Dy gjëra kanë ndodhur nga dje, deri sot. E para është publikimi i një sondazhi në mbrëmjen e djeshme, ku rezultonte se shqiptarët mbështesin Edi Ramën në masën 80 përqind për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën. Pyetjes a do të preferonin që në krye të qeverisë në këtë situatë krize të jetë Edi Rama, 80 përqind i përgjigjeshin po, ndërkohë që 20 përqind preferonin që në krye të qeverisë në një krizë të tillë, të ishte Lulzim Basha.
E dyta ndodhi në mëngjesin e sotëm. Sot në media ka dalë një dokument autentik, në të cilin shqiptarëve u zbulohet se në këtë periudhë krize, Lulzim Basha që përgjërohet aq shumë për shëndetin fizik dhe ekonomik të shqiptarëve, na paska paguar 60 mijë dollarë një kompani lobimi në SHBA. Tani, se për çfarë mund t’i duhet Lulzim Bashës një kompani lobimi në Uashington, kur dihet mirë që Uashingtoni ashtu si kryeqytetet në mbarë botën e kanë reduktuar në minimumin e mundshëm aktivitetin politik, këtë vetëm kryetari i PD mund ta thotë. Se për çfarë duhet të dërgojë Lulzim Basha 60 mijë dollarë matanë oqeanit, në një kohë kur i gjithë komuniteti politik i SHBA, Kongres, Senat dhe Shtëpi e Bardhë janë të fokusuar në hallin që u ka rënë dhe halli i Lulzim Bashës me 20 përqind mbshtetje do t’u dukej padyshim i pashpresë e i pazgjidhshëm, edhe këtë vetëm Lulzim Basha mund ta thotë. Por Basha ka një model. Sa herë që gjendet në vështirësi, ai ngrys vetullat, trash pak zërin dhe në përpjekjen për të larguar vëmendjen nga proçkat periodike që mbajnë firmën. tij, nis e u rrëfen shqiptarëve për halle që i ndjen Basha për ta, por ata vetë nuk i ndiejnë. Që kjo është një periudhë krize e cila prek këdo, nuk ka asnjë dyshim. Sigurisht që edhe shqiparët do ta ndiejnë, por si në çdo luftë, nevojiten sakrifica për të dalë me sa më pak viktima. Dhe Shqipëria deri më sot, falë masave të qeverisë, ka numrin më të vogël të viktimave për 1 milion banorë, në rajon dhe në Evropë.
Dhe ky mund të jetë lajm i mirë për shqiptarët, por jo për Lulzim Bashën që u gdhi në mëngjes me kokën e rënduar prej dy lajmeve të këqia. Shtoji kësaj dhe shkurtimin e orëve të gjumit, dhe gjithësecili mund ta kuptojë retorikën e përçartur të kryetarit të Partisë Demokratike nga selia e SHQUP-it.