Situata me infeksionin që është përhapur në të gjithë botën dhe ka vënë në gjendje pasigurie edhe Shqipërinë, tashmë është duke hyrë në javën e pestë. Pasi hymë sot në fundjavën e katërt të izolimit total dhe ndalimit të plotë të dielën për çdo njësi tregtare dhe për çdo lëvizje të qytetarëve, për javën e ardhshme pritet që gjërat të jenë më të qarta.
Këtë e tha sot Eugena Tomini, Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ajo pohoi se fakti që vendi po hyn në javën e pestë, është shumë i rëndësishëm, pasi nga data 6 prill, pritet të shënohet kurba më e lartë e zhvillimit të koronavirusit në vend.
“Java e pestë që nga shfaqja e personit zero në Shqipëri do të përbëjë dhe kulmin e zhvillimit të këtij infeksioni. Ne presim që numri i personave të prekur të rritet”, paralajmëron zonja Tomini, duke sjellë kështu një parashikim të zymtë për të ardhmen e afërt.
“Do të paktën 5-6 javë të tregojë fytyrën e vërtetë dhe më pas të ndërtojmë ide ose mendime që jemi duke zbritur në shkallë”, tha nga ana e tij edhe Prof. Dr. Tritan Kalo.