Nga Endri Kajsiu/
Me 29 raste të reja, numri i të prekurve nga Covid-19 në Shqipëri arriti ditën e sotme në 333. Por, si duhet të lexojmë shifrat, në ditën në të cilën janë regjistruar më shumë të prekur se kurrë më parë brenda 24 orëve në vendin tonë?
Në një ditë si kjo, lajmi i mirë është që pavarësisht një rritje, kurba në Shqipëri ka një trend rritës shumë më të ulët se ato të vendeve fqinje. Në Itali, por edhe në Greqi, vrulli fillestar i sëmundjes në 2-3 javët e para kalonte në dyfishim çdo katër ditë.
Falë masave të rrepta të karantinës, kjo gjë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Është shokues krahasimi i vendit tonë me dy vende të tjera të rajonit, Kroacia dhe Serbia, ku mbyllja e shkollave u vendos në 16 mars dhe karantina disa ditë më pas, në krahasim me Shqipërinë ku shkollat u mbyllën në 8 mars dhe karantina nisi dy ditë më pas.
Shqipëria ka sot 333 raste, Serbia pothuajse 1 700 dhe Kroacia 1 200. E krahasuar me raport për frymë, Serbia ka tre herë më tepër raste, Kroacia gati katër. Kjo tregon se masat e distancimit social funksionojnë.
Lajmi tjetër i mirë, i nxjerrë nga studimi i të dhënave të Italisë, që ka hyrë në trendin rënës të kurbës, por edhe Kinës, është që piku absolut zakonisht shfaqet në javën e tretë pas marrjes së masave.
Piku arrihet më shpejt kur sëmundja lejohet të qarkullojë lirshëm në ditët e para dhe pak më ngadalë kur merren masa të rrepta si ato të Shqipërisë. Kjo do të thotë që me shumë gjasë, aktualisht jemi duke përjetuar ditët e pikut ose gjithsesi jemi prane tij.
E nëse kjo është e vërtetë, në javën e dytë të prillit, me shpresë do të kalojmë në fazën e dytë, atë të manaxhimit të trendit rënës të sëmundjes.
Por, ky është edhe momenti më delikat në përballjen me coronavirusin. Lirimi i shpejtë i masave, në rastin kur numri ditor eventualisht mund të reduktohet në vetëm disa raste, mund të kthehet një boomerang dhe të sjellë një valë të dytë më të egër në vend.
Ditën e sotme, prestigjiozja italiane “Corriere della Sera” publikoi një përbledhje që i jep përgjigje shteruese pyetjes madhore se kur do t’i rikthehemi jetës normale. Përfundimet e saj, janë të aplikueshme edhe në Shqipëri.
Sipas “Corriere”, mësimi kryesor është që faza e rikuperimit do të jetë e ngadaltë dhe graduale. Por, mbi të gjitha do të jetë e gjatë e me shumë gjasë do të ndryshojë përgjithmonë disa nga zakonet tona të përpara epidemisë.
Sipas ekspertëve, treguesi fillestar i ngjitshmërisë së coronavirusit ishte prej 2.4 për person. Që do të thotë se një i prekur, mesatarisht përçonte virusin në 2.4 të tjerë. Falë karantinës, sot kemi arritur në një raport prej 1-1.1 dhe në vijim, kurba do të bjerë nën 1, që do të thotë se ka nisur fillimi i fundit për sëmundjen.
Megjithatë, për rihapjen e dyqaneve, bareve dhe restoranteve, duhet të arrijmë minimalisht në raportin 0.5, pra dy të prekur në 1 të sëmurë të ri. Dhe për të hapur disa ambiente të populluara, si stadiume, kinema, qëndra tregtare apo objekte fetare, duhet të arrijmë pranë zeros.
Kjo do të dojë ende kohë dhe prandaj të përcaktosh sot një datë se kur mund t’i rikthehemi jetës normale është në rastin më të mirë vetëm një spekulim.
Të gjitha të dhënat globale arrijnë një përfundim të përbashkët. Karantina funksionon, por fakti që deri tani kanë funksionuar masat, nuk do të thotë që duhet të hedhim në plehra të gjithë sakrificën e deritanishme.
Mund të jemi aktualisht në momentin e pikut, por siç tregon Italia dhe Spanja, piku nuk kalon kollaj dhe siç tregon Kina, edhe kur kalon, rreziku për një valë të dytë mbetet.
Sigurisht, shqëtësimi kryesor i shumë shqiptarëve të izoluar në shtëpi e fatmirësisht të paprekur nga corona është ekonomia, por ende nuk e kemi kaluar rrezikun shëndetësor.
Jemi ende mirë në përballimin e situatës në spitalet tona, ku fluksi është shmangur prej masave, por nëse do të kishim një skenar italian, amerikan apo spanjoll, një hipotezë që ende nuk mund të përjashtohet 100%, sistemi ynë shëndetësor mund të bjerë në kolaps po ashtu siç ra sistemi i të tre këtyre vendeve shumë më të pasura se ne.
Kjo do të thotë vetëm një gjë. Shqipëria mund të jetë në ditët e saj të pikut dhe më e keqja mund të ngelet shpejt pas nesh, por për të mposhtur coronën ka vetëm një rrugë: Të bëjmë durim edhe pak më gjatë.
E sigurtë është që e keqja do të kalojë. Nëse respektojmë rregullat sot, ndihmojmë që epidemia të kalojë më shpejt dhe t’i rikthehemi të gjithë normalitetit më herët.