Autoritetet në Gjermani kanë vendosur të pezullojnë Oktoberfest, festa më e madhe e birrës në botë pasi sipas tyre rreziku nga infektimi është shumë i lartë
Ata thanë gjithashtu se gjatë festimeve është shumë e vështirë të ruhet distanca sociale për të mos folur pastaj për detyrimin e mabjtjes së maskave dhe se festa mbarëpopullore gjermane, “ose bëhet siç duhet ose nuk bëhet fare”
Oktoberfest ishte planifikuar të zhvillohej këtë vit midis 19 shtatorit dhe 4 tetorit. Festa tërheq çdo vit mijëra turistë nga e gjithë bota dhe garanton për qytetin e Mynihut të ardhura financiare të mëdha. Llogaritet se ditët e festës qarkullojnë rreth 450 milionë euro. Rreth një milion vizitorë prenotojnë hotelet e kryeqytetit bavarez gjatë javëve të festivalit me mbi dy shekuj traditë.
Kjo nuk është hera e parë që Oktoberfest është anuluar për shkak të një epidemie: në vitin1854 dhe në vitin 1873, pandemia e kolerës ndaloi festimet. Që nga themelimi në vitin 1810, Oktoberfest është anuluar njëzet herë, zakonisht gjatë luftërave.