Ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëherësh përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19, Arben Ahmetaj u ka dërguar letër Ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë.

Letra e plotë:

Në vazhdën e nismave për mbështetjen e sektorëve të ekonomisë të afektuar si pasojë e COVID-19, i jam drejtuar me një letër zyrtare Ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë.

Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm.

Ndaj bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre.

Jam i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm duke u bërë të gjithë bashkë!