Institucionet fetare në Shkodër, për herë të parë gjatë 30 viteve të fundit, kanë mbyllur dyert për besimtarët, kjo për shkak të përhapjes së COVID-19.Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, thotë se që në janar kishin nisur përpjekjet e përbashkëta për festimin e 30 vjetorit të rihapjes së institucioneve fetare, por në kushtet e pandemisë globale, natyrshëm lutja shkon për shpëtimin e jetëve dhe që, kjo situatë që ka trazuar botën, të kalojë sa më shpejt.
“Po ndjekim me trazim të madh dhe me shqetësim përhapjen e lajmeve të ndryshme që vijnë nga Lindja dhe Përëndimi, nga mbarë Bota, për shtimin e numrit të të prekurve, për shtimin e numrit të të vdekurve, për krizën që shkakton kjo pandemi. Në kushtet tona, ne nxisim besimtarët që lutjet dhe adhurimet e tyre, që deri dje i kryenim nëpër institucionet tona fetare, tashmë jemi të detyruar t’i kryejmë në shtëpitë tona, t’i kryejmë me familjen tonë”, thotë imami.Në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes së përkohëshme të xhamive, imam Sytari thotë se po shfrytëzohen rrjetet sociale për të përcjellë mesazhet tek besimtarët duke nxitur shpresën dhe optimizmin si dhe nevojën e respektimit të masave të marra nga autoritetet.