Nga Gjon Ndreja/
Pa dyshim që problemi i pandemisë së COVID-19 është bërë sot çështja më e diskutueshme në gjithë jetën tonë social politike. Pa dashur të jap opinione teknike rreth kësaj çështje për shkak të njohurive të kufizuara në këtë fushë, po përpiqem të bëhem pjesë e disa diskutimeve lidhur me menaxhimin e kësaj pandemie. Në këndvështrimin tim efektiviteti i menaxhimit në përgjithësi matet me rezultatet e përftuara ne raport me objektivat e caktuara dhe këto rezultate i nënshtrohen vlerësimit të raportit kosto-përfitim. Se kush janë kostot e menaxhimit të kësaj pandemie në raport me përfitimet mbetet për t’u vlerësuar nga këndvështrimi i konceptit kosto dhe përfitim. Por në fund të fundit në këndvështrimin tim rezultantja e gjithë këtij procesi është niveli i vdekshmërisë së njerëzve, e cila është një kategori që vështirë të vlerësohet nga pikëpamja e kostove ashtu edhe përfitimeve. Gjithsesi masat e marra nga qeveritë e ndryshme në vende të ndryshme të botës përveç politikave të OBSH-së, i nënshtrohen edhe politikave përkatëse të vendeve ku ato zbatohen.
Për të gjykuar mbi rezultatet e masave të qeverisë në këtë proces unë kam zgjedhur të analizoj disa tregues rreth të cilëve mund të gjykojë lehtësisht secili nga lexuesit dhe që janë; shkalla e përhapjes së COVID-19 për një milion banorë, vdekshmëria kundrejt rasteve pozitive për një milion banorë, numri i testeve për milion banorë dhe numri i testeve për çdo rast të rezultuar pozitiv të krahasuar me vendet më të zhvilluara si dhe ato të rajonit. Të dhënat e grafikëve janë përpunuar referuar burimeve zyrtare dhe “Ëorld meter”. Sigurisht që rezultatet e përftuara pasqyrojnë edhe politikat qeveritare të vendeve të ndryshme dhe ato janë rrjedhojë e shumë faktorëve social politikë, por në fund të fundit ato janë rrjedhojë e politikave specifike të ndjekura por krahasimet midis tyre mund të thonë shumëçka. Unë nuk pretendoj se analiza e këtyre të dhënave të jetë shteruese por referuar shifrave po përpiqem të jap këndvështrimin tim.
Në grafikun e bashkëngjitur janë të dhënat për milion banorë, lidhur me shpërndarjen e rasteve të COVID-19 në disa vende të botës dhe rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas këtij grafiku rezulton se përhapjen më të madhe të virusit e ka Spanja e cila rezulton të jenë infektuar rreth 4700 persona për një milion banorë. Ndërkohë që Greqia ka numrin më të ulët prej 239 personave të infektuar për një milion banorë dhe Shqipëria ka 3.3 përqind më shumë të infektuar se Greqia dhe 19 herë më pak se Spanja, dy herë më pak se Mali i Zi, 2.6 herë më pak se Maqedonia e Veriut dhe 3.58 herë më pak se Serbia. Përhapja e virusit është rrjedhojë e shumë faktorëve veçanërisht e masave që kanë marrë qeveritë e ndryshme ashtu edhe faktorëve të jashtëm si dendësia e popullsisë etj.
Në se do t’i referohemi vetëm vendit tonë vemë re se shpërndarja e kryesore e virusit është në qendrat e mëdha urbane por edhe në ato vende ku masat e qeverisë nuk kanë qenë efikase. Grafiku i mëposhtëm tregon saktësisht se faktorët e përhapjes së virusit janë dendësia e popullsisë si dhe masat e dobëta kufizuese të ndërmarra për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të virusit. Të dhënat e grafikut tregojnë se Tirana që ka numrin më të madh të popullsisë por edhe ku aktiviteti ekonomik dhe social është më i dendur ka edhe përhapjen më të madhe dhe zë 41 përqind të rasteve në total. Në këtë logjikë është edhe rasti i të infektuarve në Shkodër dhe Durrës. Ndërkohë rasti i Krujës që ka një popullsi relativisht të vogël por masat e marra për mbrojtjen e njerëzve që janë të përfshirë në aktivitetin ekonomik (fasoneritë) nuk kanë qenë efikase, është shembulli tipik i faktit se vetëm masat kufizuese dhe mbrojtëse janë mjeti i vetëm për të shmangur përhapjen e këtij virusi.
Vdekshmëria e njerëzve kundrejt rasteve që kanë rezultuar pozitiv është një tregues tjetër i menaxhimit të kësaj pandemie. Përderisa akoma shkenca nuk ka zbuluar mjekimin kundra këtij virusi nuk mund të themi se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis vdekshmërisë dhe menaxhimit të pandemisë. Gjithsesi pranohet se numri i të shëruarve dhe diagnostikimi në kohë tregojnë se mund të ndikohet në rezultatet përfundimtare të kësaj pandemie.
Të dhënat e grafikut tregojnë se përqindjen më të lartë të vdekshmërisë kundrejt rasteve të rezultuara pozitive e ka Franca ku ka rezultuar se 13.92 përqind e rasteve që kanë rezultuar pozitiv kanë humbur jetën, ndërkohë që në Malin e Zi kanë humbur jetën vetëm 1.88 përqind e personave që kanë rezultuar pozitiv nga testimet e bëra dhe në Shqipëri vetëm 3.79 përqind e tyre. Të njëjtin trend të grafikut Nr.3 pasqyron edhe grafiku Nr.2 ku pasqyrohen vdekjet për milion banorë në ku në Spanjë dhe Itali janë 482 dhe 430 për milion banorë ndërkohë që në Shqipëri Malin e Zi dhe Greqi janë 9, 10 dhe 12 vdekje për milion banorë. Sigurisht sistemi shëndetësor italian, francez apo anglez nuk kanë të krahasuar me ato të Malit Zi, Maqedonisë,Shqipërisë apo edhe të Serbisë por për shkaqet që përmendëm edhe më sipër për hir të së vërtetës edhe për shkak të masave të vonuara kufizuese që u morën, përhapja e virusit në këto vende është bërë në mënyrë eksponenciale.
Një diskutim i gjerë është bërë lidhur me politikat e testimit ku disa janë pozicionuar në nevojën e testimit masiv të popullsisë ndërsa të tjerë mbështesin politikat e testimit bazuar në rastet e zbuluara dhe të shtrirjes së testimit duke ndjekur linjën e rrezikut të përhapjes bazuar në lidhjet e personave bazë. Të ndodhur përpara një rasti të panjohur por edhe të mundësive të ndryshme për ta përballuar testimet për shkak të burimeve të kufizuara, vende të ndryshme rezulton të kenë tregues shumë të ndryshëm lidhur me numrin e testimeve për milion banorë. Kështu numrin më të madh të testeve të kryera për milion banorë e ka Italia me 27.164 teste për milion banorë,Gjermania 24.738 teste, Spanja me 19.986 teste dhe Britania e Madhe me 9.016 teste dhe Franca me 7.103 teste për milion banorë. Ky ndryshim kaq i madh midis vendeve të zhvilluara që llogaritet në 3.82 herë, është rrjedhojë e politikave specifike që ato kanë ndjekur lidhur me mbrojtjen nga virusi. Por fakti që Britania e madhe apo Franca kanë kryer tre herë më pak teste se Italia nuk do të thotë për pamundësinë e burimeve dhe kapaciteteve që ato kanë por për politika specifike që kanë ndjekur në menaxhimin e kësaj pandemie. Shqipëria ka numrin më të ulët të testeve për milion banorë vetëm 2.352 teste , ose 11.5 herë më pak se Italia apo rreth 10 herë më pak se Gjermania. Shqipëria ka numrin më të ulët të testeve edhe se vendet e rajonit ose 2.5 herë më pak se Greqia, 2.67 herë më pak se Serbia dhe 2.78 herë më pak se Maqedonia.
Në fund të fundit të gjitha masat organizative dhe teknike përfshirë edhe testet synojnë uljen e vdekshmërisë së njerëzve dhe këtu Shqipëria rezulton të ketë numrin më të vogël të vdekjeve për milion banorë vetëm 9 njerëz, ose 53.5 herë më të ulët se Spanja , 47.7 herë më të ulët se Italia, dhe 7.6 herë më të ulët se Gjermania
Lidhur me testimet ka edhe një dukuri tjetër që tregon metodologjitë që kanë ndjekur vende të ndryshme lidhur me kryerjen e testimeve. Grafiku bashkëngjitur Nr.5 tregon numrin e testeve të kryera për çdo rast pozitiv të rezultuar. Ndryshimet midis vendeve janë jashtëzakonisht të dukshme dhe tregojnë se numri i testimeve nuk ka luajtur ndonjë rol te veçantë në menaxhimin e pandemisë. Sipas të dhënave të grafikut rezulton se Greqia ka kryer 24.66 teste për çdo rast të zbuluar pozitiv ndërsa Franca ka kryer vetëm 2.9 teste për të zbuluar një rast ose 8.5 herë më pak, ndërkohë që Shqipëria ka kryer 9.85 teste për një rast pozitiv ose dy herë më shumë se Spanja apo Britania e Madhe. Gjithsesi numri i testeve në raport me rastet e zbuluara nuk ka një korrelacion ose lidhje të drejtpërdrejtë por tregon një lloj tendence e cila nuk mund të mos merret në konsideratë. Në fund të fundit ajo tregon për efektivitetin e testimeve e cila është bërë mbi bazën e hetimit epidemiologjik dhe jo kuturu. Sipas kësaj logjike rezulton se testimet kryera nga Franca kanë qenë më efikaset nga të gjitha vendet që morën në shqyrtim por edhe politika e ndjekur nga Shqipëria lidhur me testimet tregon se ajo nuk ka qenë e gabuar.