Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, ” nëpërmjet turizmit mund të kemi një impuls shumë pozitiv në ekonominë shqiptare pas COVID-19. Ne ia dolëm që edhe pse në kohë të vështirë, edhe pse u duk si industri e vdekur gjatë tërmetit, dashamirësia e medieve arriti ta kthejë në një impuls edhe për industritë e tjera”.

Gjatë një interviste televizive ministri Klosi tha se, ndodhemi në një situatë atipike përsa i përket turizmit por gjithsesi ne kemi përgatitur rregullore për strukturat e reja post korona për të cilat jemi mbështetur tek modelet më të mira të vendeve të tjera, siç është modeli kroat.

“Qeveria është përpjekur të vendosë rregulla të forta për të menaxhuar jetët e njerëzve. Ne flasim me disa protokolle të vendosura me objektiv shpëtimin e jetës së njerëzve. Jemi në një situatë atipike. Kemi përgatitur materialet qoftë edhe për strukturat e reja post korona. I kemi ndarë me grupet e shoqatave të operatorëve. Do të duhet të paktën një muaj që të përgatisin strukturat e tyre post covid. Kjo është një rregullore për strukturat post covid. Kemi shfrytëzuar modelin kroat”, tha Klosi.

Klosi theksoi se këto rregullore bazohen në disa kushte, “kushti i parë është higjiena. Trajnimi i stafit në kushtet e reja. Duhet komplet mbrojtje sa i takon lëvizjes me ashensor.
Nuk mund të ketë më bufe të hapura ku të gjithë shkojnë dhe marrin ushqim. Te restorantet kërkohen hapësira të detajuara, tavolina jo më shumë se katër persona. Karrigia nga karrigia me distancë 1 metër e gjysëm. Do mendohet në fillim për të hapur restorantet në natyrë. Sa më pak shërbime të grupuara”.

Gjithashtu ministri theksoi se përveç strukturave të reja post covid të cilat do ndjekin kushtet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe në plazhe do ketë distancim social.

“Për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”, u shpreh ministri.

Mbi paketat mbështetëse nga qeveria për shkak të pandemisë COVID-19, turizmi mori një mbështetje më tepër pasi shihet si hallka kryesore e zhvillimit të ekonomisë në vend.

Mbi mbështetjen e sektort të turizmit nga qeveria ministri Klosi tha se, “në dy paketat e qeverise turizmi mori diçka me shumë sepse është ajo degë e ekonomisë që mund të prodhojë para të reja. Padyshim që do ketë një kosto kjo punë. 2020 do jetë një biznes për mbijetesë, për të ruajtur tregun. Ndarja e pushteteve është tabu. Shteti e kaloi tatim fitimin për në 2021. Ishte kërkesa që na erdhi nga shoqatat e mëdha. Për taksat e bashkive unë nuk mund të shprehem. Subvencioni kaloi sa i përket kredive të buta 150 milionë euro që e ndihmojnë sektorin të rigjenerohet”.