Deputeti Andi Permeti ka refuzuar publikisht të jetë i pranishëm në seancën e 16 prillit.
Nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në Facebook, deputeti Andi Përmeti shkruan se kjo seancë do jetë grumbullimi më i madh që prej shfaqjes së virusit e për këtë arsye përbën një rrezikshmëri të madhe për infektim.

“Në një sallë relativisht jo shumë të madhe, pa dritare, vetëm me ajër të kondicionuar do mblidhen rreth 150 persona. Disa prej tyre kanë kaluar moshën 65 vjeç, disa kanë kaluar edhe moshën 70 vjeç.
Disa prej tyre kanë sëmundje kronike, disa prej tyre kanë qenë në aktivitet të plotë këto ditë në zonat e tyre dhe madje ka ndonjë që edhe ka bërë disa mbledhje me grupe njerëzish”, shkruan Përmeti.
Sipas tij, zgjidhja do të ishte që seancë të zhvillohej online për të shmangur ndonjë infektim.
Por një tjetër arsye që deputeti refuzon të jetë i pranishëm në sallë është edhe fakti që sipas tij i është mohuar e drejta e fjalës nga kryeministri.