Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për lëvizjet me automjetet private për ata që janë në punë ne po bëhemi gati për t’ju paraqitur edhe aplikimin shumë të thjesht, ndërkohë do të ketë edhe një fashë të veçantë për ata që kanë punën me turne”.

“Fasha orare e lëvizjes është zgjeruar sepse kemi bërë një hapje me pikatore të kësaj hapësire në funksion të çlirimit pak të gjithë asaj shtrëngese dhe duke u bazuar te fakti që kemi një përparim në këtë luftë falë jush të gjithëve, por edhe si një efekt psikologjik si dhe për të lehtësuar pak jetën në këtë moment”, tha Rama.Ai tha se “po bëjmë zgjerimin e fashës orare duke ju dhënë mundësi qytetarëve të kenë më shumë hapësirë për të zgjedhur kur do të dalë një anëtar nga një familje për pazar”.

“Fasha orare e lëvizjes është 05:00-17:30. Për lëvizjet me automjetet private për në punë që ne do t’i lejojmë dhe po bëhemi gati sot mbase do t’ju paraqesim edhe aplikimin shumë të thjesht për të hequr gjithë ato strese e vështirësi të natyrshme por të lidhur me nevojën për të dhënë sa më pak autorizime. Kush ka automjet privat brenda fashës orare 05:00-08:00 do të shkojë në punë dhe do të kthehet brenda fashës 16:00-17:30. Fatkeqësisht ka ndodhur që ata kanë qarkulluar lirisht për qejf. Ne nuk do ta lejojmë që këto shenja të na kthehen në fenomen që të na hedhin në lumë gjithë këtë që kemi arritur”, tha Rama.