Nga Ilir Beqaj/

Pandemia e sëmudjes Covid-19 po sjell në vëmendje të njerëzimit nevojën e domosdoshme për të ridimensionuar modelet e sistemeve të kujdesit shëndetësor. Kjo edhe për faktin se metrika aktuale e vlerësimit të këtyre sistemeve po rezulton joadeguate për të matur modelet, qasjet apo eksperiencat e suksesshme.

Në fund të fundit dy janë qëllimet tona kryesore lidhur me jetën. Të jetojmë më gjatë dhe të jetojmë më shëndetshëm. Dhe të mos jetë mungesa e parave, arsyeja që dy qëllimet e mësipërme të kompromentohen.

Kësaj here, kërcënimi prej SARS-CoV-2 po vë në provë aftësinë tonë për t’u përballur me sa më sipër.

Për të shpëtuar jetët tona prej kërcënimit të SARS-CoV-2, po vëmë në provë aftësinë për të mbajtur në këmbë ekonominë botërore.

Megjithatë, nëse kjo që po ndodh tani nga pikëpamja shëndetësore do të kish ndodhur para disa kohësh dhe do të lexonim statistikat e sëmundjeve, vdekjeve dhe shkaqeve të vdekjeve nuk do të na bëntë ndonjë përshtypje të veçantë. Qoftë satistikat botërore, qoftë statistikat shqiptare, deri tani, tregojnë për një efeket negativ minimal.

Të gjithë jemi përqëndruar në efektet negative të menjëhershme në ekonominë botërore dhe familjare. Por mesa duket kemi lënë mënjanë vëmendjen për tërësinë e shëndetit tonë. Grafiku në vijim ilustron pakësimin në përqindje të volumit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri në periudhën 1 – prill në 2020 krahasuar me 2019. Vetëm kirurgjia publike e ka të motivuar pakësimin bazuar në urdhërin administrativ të pezullimit të operacioneve kirurgjikale.

Prej vitesh përpiqemi të mbajmë nën kontroll sëmundjet e zemrës, diabetit, onkollogjike. Në 20 ditët e para të prillit këtë vit janë kryer më pak se 10 % e referimeve të bëra në sistemin publik shëndetësor krahasuar me vitin e kaluar. Ku kanë shkarë sëmundjet? Ku janë të sëmurët?

Një nga çështjet që jam marrë me përparësi në periudhën që kam kryer detyrën e ministrit të shëndetësisë ka qënë ulja e numrit të ditëve të radhës së pritjeve në disa ekzaminime të rëndësishme imazherike. Ajo çfarë është arritur në Shqipëri në rreth 6.5 vite është fantastike. 2 ditë pritje për një CT Scan, 15 ditë pritje për një MRI, 20 ditë pritje për një angiografi koronare. Nëse në periudhën 1-20 prill 2020 janë kryer më pak se gjysma e ekzaminimeve të kryera vjet, atëhere a ia kanë vlejtur investimet dhe përpjekjet për të shkurtuar rradhën e pritjes. Edhe në disa ofrues të rëndësishëm të kujdesit shëndetësor jopublik, ulja e volumit të kujdesit të ofruar është shumë e ndjeshme.

Përveç barnave të dhëna prej recetave të rimbursueshme, edhe barnat e vendosura në treg kanë rënë ndjeshëm. Nëse barnat e rimbursueshme zënë rreth 45 % të tregut të barnave dhe i gjithë tregu është tkurrur me 33 %, rezulton që tregu i barnave jo me rimbursim të jetë përgjysmuar. Megjithatë, sa më sipër nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Edhe në SHBA situate është e ngjajshme. Grafiku në vijim ilustron rënien në përqindje të vizitave në disa specialitete të ndryshme mjekësore në SHBA javën që fillon me datë 5 prill krahasuar me një vit më parë. Madje ishte leximi i këtij grafiku që më vuri në lëvizje për të kuptuar po në Shqipëri çfarë po ndodh.

Çfarë të ketë ndodhur? Qenkan trembur të gjitha sëmundjet prej SARS-CoV-2?

Prandaj, përpara se të merremi me hapjen e ekonomisë, duhet të merremi me “hapjen” e kujdesit shëndetësor.. E shkruaj në thonjza sepse nuk u mbyll me koshiencë kujdesi shëndetësor, por na e paska mbyllur subkoshienca. Po na krijohet një barrë e fshehtë sëmundshmërie me pasoja jo të vogla.

Përveç hapjes së menjëhershme të kujdesit shëndetësor, rezulton se duhet të mendojmë edhe për një model të ri të ofrimit të kujdesit shëndetësor. Situata të ngjajshme pandemie e emergjencash natyrore do të kemi përsëri.

Kam një kërkesë për të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në shëndetësi. Mos prisni gjithçka nga qeveria (ministria e shëndetësisë). Ka jo pak emergjenca e ngarkesë këto kohë. Mos ngurroni të mendoni e të propozoni. Departamentet e fakultetit të mjekësisë, urdhërat e profesionistëve të shëndetit, shoqatat e specialiteteve mjekësore, ofruesit jopublikë të kujdesit shëndetësor nuk kanë pse të presin. Nëse të gjithë themi “bashkë do t’ia dalim”, duhet edhe gjithseicili të bëjë përpjekjet e veta.