“E di që jeni mërzitur…”. Ish-deputeti socialist Namik Dokle ka shkruar fjalë emocionuese për nipërit e tij në Itali, të cilët nuk i kanë parë prindërit prej një muaji pasi janë mjekë dhe trajtojnë pacientët e sëmurë.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Dokle shkruan se vajza e tij dhe bashkëshorti do të mundin koronavirusin dhe sëmundjen e mallkuar. Në fjalët prekëse, i kujton nipërve se fundi do të jetë i lumtur, me pushime dhe shëtitje në Shqipëri me të gjithë njerëzit e zemrës.Kur jetës do i kthehet normaliteti, Namik Dokle do të cojë nipërit në Prizren për të pirë ujë tek cezma pasi beson në thënien se kush e pi atë ujë, nuk e zë asnjë sëmundje.
Shkrimi i plotë:Ndoshta akoma nuk jeni zgjuar, por gjyshi nuk duron më gjatë për t’u përshëndetur. E di që jeni mërzitur; u bë më shumë se një muaj që nuk dilni, nuk shkoni në shkollë, nuk takoheni me shokët dhe shoqet, dhe, kryesorja, nuk takoni dot mamin dhe babin, sepse ata vazhdojnë punën në spital, përpiqen të shpëtojne të sëmurët. Epo, mirë, të paktën flisni në skajp, apo jo? Por mos u mërzitni! Mami Manjola dhe babi Arviti, bashkë me mijëra mjekë të tjerë, në Itali dhe në botë, do ta mundin koronavirusin dhe sëmundjen e mallkuar.
Dhe ju… do të vini përsëri me pushime në Shqipëri, do shëtisim bashkë e do hamë pica te Pazari i ri, bashkë me nana Qefseren dhe daja Belin, do shkojmë në Shkodër të hamë tavë krapi me nana Hyrin, do shkojmë përsëri ne bjeshkët e Gores të shihni fshatin e gjyshit, pastaj do zbresim poshtë, në Prizren e do pimë uje te cezma e Shadrivanit. Thonë se kush pi atë ujë fatsjellës nuk e zë asnjë sëmundje.
Pastaj do të shkojmë përsëri në Sarandë, do zhytemi në ujërat e Jonit, ndërsa në mbrëmje, do shikojmë perëndimin e diellit. Ja, edhe pak, edhe pak dhe do ta fitojmë këtë lufte! Dhe Ju do të jeni krenarë për mamin dhe babin që u përkushtuan aq shumë për jetën e njerëzve! Ju puc shumë, shuuuumë!