Histori përjashtimesh në PD. Kur Berisha “ngriu” avokatin, një debat për “çimkëzimin” në parlamentin e vitit 2006 dhe deklarata e deputetit Lesi: “Në lidhje me shkarkimin e zotit Ngjela, mua më lidhin dy momente: momenti privat dhe nuk heq dorë, sepse çdo njeri ka një burrëri në këtë vend. Ka qenë avokati im që nga viti 1992 në gjyqet që bënim me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste…”

Janë disa momente në politikën shqiptare që duken gjithnjë interesante për t’i kthyer në vëmendjen e publikut. Jo sepse janë të lavdishme, por sepse na kujtojnë rrugëtimin problematik të lirisë dhe standarteve demokratike brenda partive politike. Një i tillë është edhe debati i vitit 2006 në Kuvend, ku një çështje në dukje proceduriale që ishte lëvizja e deputetit Spartak Ngjela nga Komisioni i Ligjeve te Komisioni i Medias, u kthye në një përplasje të ashpër brenda mazhorancës, ku do të përfshihej edhe opozita socialiste e kohës. Në qendër të atij debati ishte deputeti demokrat Spartak Ngjela, i cili ishte “ngrirë” në atë kohë me vendim të kryesisë së PD-së dhe po “zhvishej” nga të gjitha pushtetet edhe në Parlament. Një fjali e vetme e Pandeli Majkos mjaftoi për të zhvendosur gjithë peshën e diskutimit nga momenti tek e shkuara: “Kur ai ishte në burg, zotërote ishe në Bllok.” Një goditje që nuk synonte thjesht argumentin, por legjitimitetin moral të kundërshtarit Sali Berisha dhe, bashkë me të, mënyrën se si është ndërtuar narrativa politike në Shqipëri pas viteve ’90.

Në pak minuta, salla e Kuvendit u kthye në një skenë ku u përzien gjithçka: parimet e Kushtetutës, kujtesa e burgjeve politike, besnikëritë e vjetra dhe konfliktet e reja. Mes ironive për “çimkëzimin”, akuzave të tërthorta dhe një atmosfere që lëkundej mes seriozitetit institucional dhe spektaklit politik, doli në pah një realitet i njohur: në Shqipëri, debatet më të forta nuk bëhen për ligjet, por për njerëzit. Dhe shpesh, jo për atë që bëjnë sot, por për atë që kanë qenë dje. Ky dosier nuk është thjesht një rikthim në një debat të vjetër. Është një pasqyrë e një kulture politike të përjashtimit të atij që guxon të kundërshtojë liderin. Tema sjell pjesë nga debate.

Spartak Ngjela – Problemi qëndron që me ç’kërkesë më transferon mua nga një komision në tjetrin, sepse transferimi për në një komision është zgjedhje private. Qenia në një komision është e detyrueshme, kurse prioriteti për të qenë në një komision është profesional. Unë vërtet kam shkruar në gazeta dhe, ç’është e vërteta, shkruaj mirë, por nuk jam gazetar, zonjë, ju kanë keqinformuar. Në qoftë se ka njerëz në drejtimin tuaj që mendojnë se, meqë shkruaj mirë, jam edhe gazetar, kjo nuk ka lidhje, s’jam gazetar. Kështu që atë çështje unë nuk e pranoj dhe nuk diskutohet, s’ka pse të diskutohet.

Në qoftë se do ta bësh në mënyrë arbitrare, është e kotë, sepse këtu ka një gjë: në qoftë se nuk respektohen, zonjë, katër gjëra, që kam një javë që i përmend: kushtetutshmëria, parlamentarizmi, ekonomia e lirë e tregut dhe sidomos zgjedhjet e lira, ne kemi dalë nga lufta e këtij qytetërimi dhe kemi kaluar te qytetërimi tjetër. Bëni si të keni qejf. Unë them se do të mbetem në këtë qytetërim, këtej nga Perëndimi. Në qoftë se doni të shkoni nga qytetërimi tjetër, pa kushtetutshmëri, pa parlamentarizëm dhe pa zgjedhje të lira, rrugë të mbarë, por mundësisht mos hiqni trupat. Dakord jemi?

Problemi i tretë që dua të diskutoj është ky: Keni të drejtë ta hidhni në votim këtu? Doni ta hidhni në votim këtu? Hidheni! Ky është Parlament, kjo është sallë parlamenti, këtu, zonjë, ta kam thënë edhe një herë tjetër, të gjithë janë të barabartë. Nuk ka këtu disbalancë në barazi. Dhe në qoftë se nuk e dini ç’do të thotë “mandat deputeti”, mundësisht me përpjekje, me debate mësojeni! Vullnetin tim e kam unë në dorë, zonjë, kur ta lëshoj, ta delegoj, ashtu sikurse e kanë deleguar ndërkohë “plakat”, që kanë vendosur të mos vijnë këtu dhe kanë deleguar kompetencën e ngrirjes, se nuk duan, siç duket, të vijnë nga prilli. Unë nuk delegoj kompetenca, zonjë. Unë jam këtu me vullnetin tim të plotë. Dhe jo vetëm me vullnetin tim të plotë, zonjë, por, ta dish mirë, me konsistencë të plotë për të ruajtur parlamentarizmin. Në funksion të kësaj, nuk bëj asnjë lëshim, nuk jap asnjë dorëheqje, të gjitha të tjerat i keni ju në dorë dhe nuk lëviz me vullnetin tim nga ai komision. Se ç’do të bëj, në qoftë se ju nuk përkrahni vullnetin tim, ose të paktën nuk e merrni në konsideratë vullnetin tim, ai është problemi im pastaj.

Pandeli Majko – Doktor, të paktën një gjë ta kesh të qartë: Kur ai ishte në burg, zotërote ishe në Bllok. Dakord? Dhe, sa për dijeni, dua të them diçka. Me avokat Ngjelën mua dhe grupin tim parlamentar politikisht s’na lidh asnjë gjë. Me partinë time dhe partinë tjetër i ka ndarë hesapet ai atëherë kur nuk guxoje ti, Sali Berisha, të ngrije tonin e zërit.

Tani ne po flasim për ca principe, zotëri, për të cilat do të vendosim të gjithë këtu nëse do t’i respektojmë apo jo. Ky Parlament nuk ka kontratë me ty, ky Parlament ka kontratë me Kushtetutën dhe ligjin. Prandaj, në këtë pikëpamje, askush nuk mund të thotë këtu që kjo çështje është një çështje private e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në këtë pikëpamje, ne kërkojmë vetëm të ushtrojmë mënyrën e veprimit këtu në Parlament për sa u përket procedurave. Nuk mund të largohet një deputet, qoftë edhe nga drejtimi i një komisioni të rëndësishëm, pse paskeni marrë vendimin ju për të ngrirë diku në një godinë tjetër, që quhet Partia Demokratike. Ne jemi Parlament. Ne duam të dimë se çfarë ka ndodhur, çfarë ka shkelur, si është puna. Fol, Kryeministër, si është puna? Të ka incizuar ty në takimin me Jozefina Topallin? Të ka prekur në ndonjë pikë të dobët? Ka marrë ndonjë lekë borxh dhe tani u thua kolegëve që nga lekët borxh avokati ka ndërruar rrjedhë? Si është puna? Nuk po flasim për një gogël këtu, po flasim për një njeri që e keni prezantuar si zgjedhjen tuaj më të mirë për Bashkinë e Tiranës, po flasim për njeriun që ju ka bërë avokatinë në ditët tuaja më të vështira. Dhe kur gjysma e Qeverisë këtu nuk ekzistonte në politikë, ai njeri ju ka marrë në mbrojtje, ju ka marrë në mbrojtje në ’97-ën. Për këtë jam dëshmitar unë.

Tani, zotëri, unë kam për detyrë të flas vetëm në emër të diçkaje. Ne jemi kolegë. 15 vjet kemi bërë politikë së bashku. E majtë, e djathtë, ne jemi kolegë. Dhe në emër të të qenit kolegë, ne kemi të drejtë të pyesim: Çfarë ka ndodhur? Ta japë përgjigjen ky i pari, se ka 15 vjet që e ka mbushur politikën shqiptare me spektakle të tilla. Fol!

Nikollë Lesi – Meqenëse u hap kjo çështja e regjistrimit të një bisede, se nuk është përgjim, unë personalisht në atë bisedë jam i përmendur dhe më lind e drejta publike, zonja Kryetare, t’i drejtohem zotit Kryeministër Berisha që të më përgjigjet publikisht se ku jam unë, Nikollë Lesi, në koalicionin e djathtë. Edhe për tekstin “shko te Nikollë Lesi” dua të më përgjigjesh, zoti Kryeministër, se në çfarë sensi e ke thënë.

Jozefina Topalli – Mund të përgjigjem unë, zoti Nikollë.

Nikollë Lesi – Zonja Kryetare, të lutem, nuk të drejtohem ty.

Pra, zoti Kryeministri im, je Kryeministri i maxhorancës, m’u përgjigjni publikisht, ju lutem, se çfarë keni nënkuptuar me thënien “shko te Nikollë Lesi”.

Jozefina Topalli – Po, më lejo të përgjigjem unë: Të shkojë te Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, aty ku jeni ju.

(Reagim në sallë nga deputetë të opozitës.)

Nikollë Lesi – Zonja Jozefina, ju mund të thoni që ta marr edhe në parti unë, por problemi është që e dua përgjigjen nga zoti Berisha dhe, nëse më lejoni, dëshiroj ta dëgjoj përgjigjen këtu në podium. Zoti Kryeministër, po të bëj kërkesë të sinqertë publike.

Sali Berisha – Tani, të më kërkosh mua që të interpretoj “çimkëzimin”, bën një gabim të rëndë shumë, sepse, siç e di ti, në 15 vjet nuk ka pasur praktikë “çimkëzimi” në asnjë rast, në asnjë rrethanë. Ti do të më kërkosh mua çdo gjë tjetër, përveç “çimkës” dhe “çimkëzimit”, se kjo është e papranueshme për mua.

Tani, se ku qëndron çështja, se ty të intereson galaktika, a qëndron tek anëtarësia, apo te komisioni, apo atje, diku në mes të tyre qëndron, por kjo është çështje, e cila nuk më intereson aspak mua.

Nikollë Lesi – E shoh, zoti Kryeministër, që po i rrëshqet me mjeshtri përgjigjes, por, duke mos e zgjatur këtë pikë dhe meqenëse dola në podium, po konsumoj edhe pjesën time që do të flisja nga vendi.

Në lidhje me shkarkimin e zotit Ngjela, mua më lidhin dy momente: momenti privat dhe nuk heq dorë, sepse çdo njeri ka një burrëri në këtë vend. Ka qenë avokati im që nga viti 1992 në gjyqet që bënim me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste.

Unë nuk mund të pajtohem të votoj për shkarkimin e zotit Ngjela nga kreu i këtij komisioni, zoti Berisha, pasi edhe ne si maxhorancë, edhe ju si PD nuk gjeni avokat, jurist më të zotin, më të mirë që ju nderon. Pavarësisht se ju ka kundërshtuar, por ju jepni gjestin tuaj civil, se jeni ish-President, jeni lider, jeni udhëheqës politik në këtë vend, jepni gjestin tuaj duke kërkuar që të tërhiqesh nga kjo nismë e gabuar, se fiton më tepër pikë, zoti Berisha. Po të them që fiton më tepër pikë në të gjithë elektoratin shqiptar. Nuk humb pikë, zoti Berisha, duke u tërhequr nga sherri, nëse mund ta quajmë, me Ngjelën. Përkundrazi, lartësohesh dhe fiton më tepër pikë. Më pas, nëse vazhdon të këmbëngulësh në këtë sherr, në këtë mllef, po të them se do të kesh numra minus në maxhorancë.

Unë do të votoj kundër shkarkimit të avokat Ngjelës, për arsyet që paraqita.

Ju falemnderit!

Pandeli Majko – Zonja Topalli, edhe për respekt të kolegut, e keni ngrirë edhe në Parlament zotin Ngjela?