Kryeministri Edi Rama në një komunikim me qytetarët i bëri thirrje atyre të respektojnë distancën sociale edhe kur vjen puna për të takuar prindërit për t’i mbrojtur ata, e për të mos i çuar bombat në trup. Rama iu referua edhe rastit të tij, duke thënë se edhe atë e ka marrë malli të takojë nënën dhe nuk shkon jo se ka frikë nga policia, por sepse duhet që ta mbrojë atë.
“Dëgjoj, lexoj dhe ju ndjek e përgjigjem e nganjëherë me shpullë në përgjigje për t’ju sjellë në vete disa prej jush që flisni broçkulla. Dëgjoj shpesh, pse nuk liroheni se dimë vetë të mbrohemi. Do lirohemi hap pas hapi po në themel qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh.
Pse mua nuk më ka marrë malli mua për nënën dhe nuk dua ta takoj, apo kam frikë se do më kapi policia rrugës? Jo un zbatoj rregullin, sepse ky rregull mbrohen të gjithë të afërmit e mi. Rregullat nuk janë se kështu do shteti, por për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe që përkufizon lirinë tonë si një mundësi që mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”, tha Rama.