Edhe njëherë Papa Francesku celebroi dje i vetëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan meshën për vigjiljen e Pashkëve.
Me një ceremoni plot simbolizëm dhe e ngarkuar me domethënie nga heshtja kumbuese në sheshin gjigant, për herë të parë në historinë bashkëkohore, Papa Bergoglio pohoi se kjo ishte dita “më e errët, dita e heshtjes së madhe”, duke lidhur kujtimin e Pashkëve me tronditjen që bota po pëson nga pandemia e koronavirusit.
Por mesazhi i Papës kishte edhe një mesazh shpresëdhënës. “Kemi nevojë të rimëkëmbemi, të kujtojmë se lindim dhe rilindim nga një thirrje dashurie të sinqertë. Nga këtu duhet të rifillojmë gjithmonë, sidomos në periudha krize”, tha kreu i Kishës Katolike.
Papa i bëri thirrje ithtarëve që të zgjedhin gjithmonë jetën. “Jemi motra dhe vëllezër, duhet të sjellim këngën e jetës, të zhdukim klithmat e luftës! Kemi nevojë për bukë, dhe jo armë, kemi nevojë të hapen zemrat e atyre që kanë, për të mbushur duart e atyre që nuk kanë asgjë”, ishte apeli i Papës, i lidhur drejtpërdrejt me gjithë botën, por i vetëm në sheshin më të famshëm.