Partia Demokratike ka denoncuar një seri tenderash kohët e fundit, për t’i treguar publikut se fondet po shpërdorohen në heshtje, për shkak edhe të situatës së Covid-19. Gazeta SHQIP ka hetuar një nga rastet dhe ka zbuluar se akuzat ne denoncimin e PD janë të pabazuara dhe publiku është keqinformuar.

Bëhet fjalë për tenderin e respiratorëve (pajisjen jetike për të luftuar Covid-19), për të cilën ish deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se “është bërë pa garë, në fshehtësi dhe është fituar nga kompania “TBS 96”. Po ashtu mjeku Petrit Vargu, themelues i Health&Light, një nga kompanitë pjesëmarrese ne këtë tender, i cili njekohësisht flet si zë i opozitës, akuzoi kompaninë “TBS 96”, për origjinën e dyshimtë të respiratorëve që po vinin në Shqipëri.

Gazeta SHQIP nëpërmjet një kërkese për informacion pranë Ministrisë së Shendetësisë, siguroi dosjen e plotë dhe të dhënat për procesin e tenderit, e cila rezulton të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që pretendohet nga Partia Demokratike.

Tenderi me objekt “Furnizim, vendosje respiratorë me dy modalitete për adultë dhe moshë pediatrike për Covid-19”, është hapur nga Ministria e Shëndetësisë, rreth 2 javë më parë. Sipas dokumentit që disponon Gazeta SHQIP, në tender kanë marrë pjesë 11 kompani, mes të cilave njëra prej tyre është tërhequr që në fillim të garës, për shkak të pamundësisë për të siguruar ne kohe respiratorët në tregun botëror. Këtu bie edhe alibia e parë e ish deputetit Alibeaj, pasi nuk mund të cilësohet një tender “sekret”, në një kohë që marrin pjesë 11 kompani dhe per me tepër hapja e zarfave te ofertave dhe u bë njekohësisht në prani të të gjithë garuesve.

Vijojmë më tej!

Sipas vendimit për vlerësimin e ofertave, kompania “TBS 96”, është kualifikuar si oferta e dytë më e mirë, duke u pikëzuar me 74.8 pikë. Fituese e këtij tenderi, fillimisht ishte kompania “BNT Electronics”, por kjo kompani është tërhequr pas disa ditësh, pasi nuk ka mundur të sigurojë respiratorët nga furnitorët. Duhet theksuar, se tregu i respiratorëve sot është një problem i madh në të gjithë botën, pasi të gjitha shtetet e prekura nga Covid-19, kanë kryer me mijëra porosi për terapitë intensive te strukturave spitalore. Te gjithë furnitorët europianë dhe aziatikë, nderkohe e kanë 4-fishuar çmimin për shkak të kërkesave tepër të larta, vështiresive te mëdha per sigurimin e lëndëve te para per prodhimin e tyre si edhe mangësive te tjera te shkaktuara nga pandemia.

Pas dorëheqjes së kompanisw fituese “BNT Electronics”, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në bazë të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik, shpall fituese kompaninë pasardhese, klasifikuar e dyta, pra “TBS 96”. Vlen të theksohet se cmimi i ofruar nga “BNT Electronics” ishte 57% më i lartë se ai i ofruar nga fituesi TBS 96.

Akuzat ndaj “TBS 96”

Opozita ngre një sërë akuzash të pabazuara ndaj kompanisë “TBS 96”, duke evidentuar mungesën e eksperiencës dhe cilësinë e respiratorëve që ata do të sjellin në Shqipëri.

Për të dy këto akuza, Gazeta SHQIP hulumtoi për të parë vërtetësinë e deklaratave të Partisë Demokratike. Lidhur me eksperiencën, kompania “TBS 96” ka një eksperincë 14 vjeçare në pajisjet elektronike dhe prej dy vitesh ka siguruar liçencën për të importuar pajisje mjekësore. Dukeqenëse respiratori është një pajisje elektronike mjekësore, atëherë kësaj kompanie i lindte e drejta për të garuar në një tender të tillë. Nëse shohim dokumentin e publikuar nga Gazeta SHQIP, edhe fituesi i parë (i cili u tërhoq për mungesë të sigurimit ne kohe të produktit) është një kompani që merret me importin e pajisjeve elektronike.

Mjeku Petrit Vargu që është edhe ish kandidat për deputet i LSI, denoncon gjithashtu se pajisjet respiratore që do të vijnë nga kompania “TBS 96”, janë me origjinë kineze. Gazeta SHQIP hulumtoi dosjen e kompanisë fituese, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe rezultoi se këto pajisje do të importoheshin nga kompania “Axcent Medical GmbH”, me bazë në Gjermani. Pajisjet respiratore janë të publikuara edhe në faqen e kompanisë gjermane, https://www.axcentmedical.com/icu.html, disa prej tyre kane ardhur janë instaluar dhe po përdoren , te tjera priten të vijnë në vijim në Shqipëri.

Per hir të së vertetës duhet thënë se prodhuesit dhe furnitoret kinezë po furnizojnë pajisje të tilla në të gjithe boten dhe origjina Kineze nuk është aspak pengesë per furnizimin e tyre qoftë në Shqipëri qoftë në cilindo vend tjeter Europian për aq kohë sa ato janë të pajisura me Certifikatat CE perkatëse.

Gjithashtu vlen për tu theksuar, se oferta e “TBS 96”, ishte 42% më e lirë se fondi limit i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, duke i kursyer mbi 500 milionë lekë të vjetra buxhetit të shtetit.

Ky shkrim ishte një fact-checking, mbi disa akuza politike të bëra ditët e fundit. Gazeta SHQIP do të ekspozojë çdo deklaratë të politikanëve dhe më pas do t’i përballë ato me të vërtetën.