“Sot Tirana është vetëm e këtyre zemrave”, tha Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një video nga rrugët e kryeqytetit, ku deri në orën 11:00 u lejuan të qarkullojnë vetëm pensionistë. Ndërkohë që gjithë vendi është vendosur në një karantinë totale prej orës 17:30 të ditës së premte deri në orën 05:00 të ditës së hënë, Kryeministri lajmëroi një fashë orare dedikuar vetëm pensionistëve këtë të shtunë. Deri në orën 11:00, pensionistët u lejuan të lëviznin për shëtitje, pro gjithmonë duke zbatuar disa masa në kuadër të ruajtjes së distancës sociale.
“Pensionistët mund të dalin, jo për vizita, as për domino, as për ulje të rrezikshme në grup, por për ajrosje dhe ecje deri në orën 11:00 paradite, jo më shumë se me një tjetër pensionist, por duke ruajtur distancën”, tha Rama ditën e djeshme. Ndërkohë, Policia në të gjithë vendin po vijon kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës për kategoritë e tjera.