Le hasard ne favorise que les esprits prepare – Louis Pasteur

Nga Ervin Lera*

Letër kryeministrit,

Dole dje dhe deklarove se me pikatore do të zbutësh masat shtrënguese për përballimin e situatës; nuk quhen më shtrënguese në rast se zbuten sado pak qoftë. Jeta e secilit prej nesh sot është më shumë se kurrë e varur nga kufizimi i lirisë (që mos të keqkuptohet nuk ka lidhje me Kartën Universale të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut). Jo zoti kryeministër, bëhu më i mençur dhe munde padijen me informacionet që sot nuk i mungojnë askujt. Sot është kusht ekzistencial të ruhemi nga infektimi dhe jo të krijojmë kushtet optimale të lirisë. Fati përkrah mendjet e përgatitura:- Le hasard ne favorise que les esprtis prepare, Louis Pasteur.

Bëhu i mençur dhe vër në punë njerëzit e tu të gjejnë zgjidhjen optimale për transportin falas në punë të atyre që duhet të lëvizin për të punuar. Linjat qytetase dhe ndërqytetase urbane nuk punojnë, të gjithë autobusët janë duke u ndryshkur. Autobusët fizarmonikë si trena që na bezdisin në qarkullim gjatë normalitetit ndoshta janë zgjidhja optimale për transport. Urdhëro dezinfektimin, angazho në punë në shërbim të komunitetit disa shoferë dhe fatorino – roje për të siguruar distancën sociale dhe mbaj nën kontroll lëvizjen dhe lirinë vdekjeprurëse të lëvizjes. Kurse paratë e buxheteve familjare që do të shpenzohen për karburantin e makinave. Bëju me shumë favor tregtuesve të karburanteve, sepse nje autobus konsumon sa 10 vetura. Mos e humb kontrollin mbi lëvizjen e lirë të njerëzve pa u tutur se do të akuzojnë si diktator.

Zgjero edhe më shumë ndihmat për shtresat në nevojë dhe mendo më shumë për ta se sa për shtresat e tjera. Nuk do të jetë e vështirë të kuptosh se janë konsumuar rezervat e krijuara ndërkohë dhe atëherë, nis e bëj diçka më shumë edhe për ata. Vëri në punë njerëzit e tu dhe, bëhu më i mençur e mos i mbush dollapët e atyre që perfitojnë ndihma me makarona, oriz, miell dhe biskota. Fati favorizon mendjet e perga titura (Le hasard ne favorise que les esprits prepare), pikërisht këta do të duhen më shumë kur e gjitha kjo të kalojë. Siguro më shumë proteina dhe vitamina për ata në mënyrë që të përmirësojnë dhe të forcojnë sistemin imunitar. (Edhe unë duke e lexuar e mësova këtë). Bëje këtë për shtresat e mesme të ulëta dhe shtresat në nevojë sepse në qoftë e vërtetë se në shtator-tetor e gjitha kjo do të përsëritet, fataliteti do të rëndojë më shumë mbi ty. Bëje, sepse edhe kur të nisë ringritja, edhe kur do të të duhet mbështetja, pikërisht këta do të jenë më të nevojshmit, më të nevojshëm edhe se paratë ( mos harro se për rindërtimin nga tërmeti nuk të mjaftonin kapacitetet njerëzore në dispozicion). Kur të mbarojë e gjitha kjo dhe të nisë ringritja ( këtë rradhë quaje ringritje, sepse që të rilindësh duhet të vdesësh dhe pas vdekjes vetëm perëndia e ka në dorë fatin dhe vendin e paracaktuar ku do dhe si do të jetosh. Rënia nis nga lart – poshtë, ringritja është e përcaktuar nga poshtë lartë). Mos e ndill më vdekjen duke përmendur rilindjen dhe as mos e përmend se ja që vika edhe me forma më të sofistikuara. Përsëri mendo më shumë për shtresat e mesme të ulëta dhe shtresat në nevojë, duke u përgatitur që tani, që paratë e projekteve të nevojshme të mos ndahen mes 10 apo 100 kompanive, por mes 1000 prej tyre e kështu do të mbulosh edhe varfërinë e çdo shtrese të kërcënuar, do të ulësh papunësinë dhe, ja ku doli se mendove njëherësh për të gjithë të pasurit.

Mos u tut fare nga frika e falimentimit por, fillo e mendo që tani sepse fati favorizon mendjet e përgatitura, ku të gjesh sa më shumë financues dhe jo vetëm 1 apo 2. Sa më i gjerë dhe i hapur të jetë rrethi mbikqyrës i financuesve, aq më e lehtë eshte ruajtja e sovranitetit (kujto edhe shembullin e Greqisë që në një moment nisi të përpëlitej për të ruajtur sovranitetin e saj). Përfshi në listën e mundshme të financuesve, qoftë Kinën, qoftë Rusinë, qoftë Turqinë, por jo vetëm një nga këto dhe mos u tut fare se do të turren si tradhëtar të politikës së BE (si po vete kjo punë që nga nëntori i kaluar, duket se do të « shijosh », pa u lodhur shumë, hallin e një mandati tjetër) . Thjeshtë do të lëvdojnë se ju hoqe një bela dhe, në rastin më të keq, vetë BE do të ofrojë më shumë për të treguar supremacinë e saj. Nuk do të mbetet asnjë ekonomi e vogël pas dore sepse ringritja fillon nga poshtë lart, rënia nis nga lart poshtë. Por, për ta bërë këtë, vëri në punë njerëzit e tu këtu dhe kudo i ke nëpër botë, nis e bëje gati sepse fati përkrah mendjet e përgatitura (le hasard ne favorise que les esprits prepare). Bëje gati që tani, madje mos prit, larg qoftë të lindë nevoja e vënies në funksion të planit C dhe, hapi rrugën vetes të jesh i pari për të siguruar ringritjen.

Por, zoti kryeministër, që të jetë më e lehtë nesër, mos harro se duhet të dalim sa më faqebardhë sot, prandaj mos i zbut masat shtrënguese për përballimin dhe parandalimin e pandemisë, mos harro të kujdesesh më shumë e më mirë për më të pamundurit (me më të pasurit do të jesh i detyruar të krijosh një ortakëri të ligjshme nesër dhe askush nuk do të të vërë para përgjegjësisë për këtë, sepse do të jesh i detyruar që, për herë të parë të përfshish të gjithë ata). Përgjegjësia jote e madhe sot dhe nesër është të jesh një mendje e përgatitur (për më shumë, për pothuajse gjithçka pa harruar ringritjen) që edhe fati të të përkrahë.

*Regjizor