Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha në një lidhje me “Skype” në emisionin Real Story, në News24, se askush nuk e di kur do të marrë fund makthi i krijuar nga përhapja e koronavirusit.
Ajo u shpreh se ekspertët epidemiologë theksojnë se kurba jonë e përhapjes së rasteve është një kurbë që fatmirësisht nuk ka marrë pamjen që mori në Itali apo në vende të tjera.
Zv.ministrja theksoi se ka frikë për shqiptarët që po riatdhesohen tani nga jashtë, të cilët sipas saj, duhet patjetër të vetëkarantinohen.
Ajo deklaroi se në rastet e fundit kemi kuptuar që ka ndodhur që dëmton muskulin e zemrës, ka dhënë dëmtime të enëve të gjakut duke dhënë mikrotromboza.
Pjesë nga intervista:
Kur do mbarojë ky makth?
Këtë pyetje ja bëjmë çdo ditë vetes. Ekspertët tanë epidemiologë kanë bërë dhe ata modelet e tyre, na mësojnë që kurba jonë e përhapjes së rasteve është një kurb që fatmirësisht nuk ka marrë pamjen që mori në Itali e vende të tjera. Kjo për shkak të masave që u morën që herët.
Rastet janë të importuara nga jashtë. Rastet që janë tani, janë ato të transmetimit komunitar, pra raste që i transmetojmë ne vetë te njëri-tjetri, ndaj është shumë i rëndësishëm distancimi social, si e vetmja mënyrë për ta parandaluar atë. Unë kam një frikë me njerëzit që po vijnë nga jashtë. Ata duhet patjetër të respektojnë masat e vetëkarantinimit.
Pse nuk i karantinon qeveria?
Edhe rekomandimet e OBSH janë që ata fare mirë mund të vetëkarantinohen, sepse mbrojnë shëndetin e tyre dhe të të tjerëve. Është në gjë që njerëzit duhet ta kuptojnë. Transmetimi komunitar mund të ndalet vetëm duke respektuar masat e rrepta.
Sot pësoi rritje, kur ju thoni që është e sheshtë…
Nuk mund të gjykosh me numra të vegjël për probleme kaq të mëdha. Përqindja me testimet është pak a shumë ajo. Nëse testohen 140 raste, ato janë të dyshuara. Do vijë një moment kur të gjithë do të shërohen dhe nuk do të ketë më të infektuar.