Kur ishte pyetur në vitin 2017 se kush mund të jetë pasardhësi i tij në botën e futbollit, Cristiano Ronaldo i kishte emëruar gjashtë lojtarë që potencialisht mund ta zëvendësojnë atë në të ardhmen. Cristiano Ronaldo ka qenë njëri ndër lojtarët më të pëlqyer nga tifozët e futbollit gjatë dy dekadave të fundit. Tani që ai po i afrohet fundit të karrierës së tij, tifozët e tij kanë theksuar se futbolli s’do të jetë më i njëjtë pa të. Megjithatë, vetë portugezi i ka emëruar gjashtë lojtarë që beson se do të mundë të jenë pasardhësit e tij në botën e futbollit.
“Kjo është pyetje shumë e mirë. Unë shoh potencial të madh te Asensio, Mbappe, Neymar, Dembele, Hazard, Rashford e disa të tjerë”, kishte thënë Ronaldo, në një intervistë të dhënë për Daily Mail.
“Në gjeneratën e ardhshme i shoh të paktën dhjetë lojtarë me potencial jashtëzakonisht të madh”. Nga Marco Asensio ishte pritur shumë pas kontributit që ai e kishte dhënë në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve në sezonin 2017/18, mirëpo ai e ka humbur vëmendjen e tifozëve gjatë kohës së fundit, përkundër talentit të tij.
Mbappe, i cili është vetëm 20-vjeçar, i ka shënuar mbi 130 gola në karrierë dhe ishte i katërti në garën për Topin e Artë. Fituesi i Kupës së Botës pritet të jetë ndër yjet më të mëdha në botën e futbollit së shpejti. Bashkëlojtari i tij Neymari u bë futbollisti më i shtrenjtë në histori gjatë verës së vitit 2017 dhe ai ende mbetet si futbollisti që ka gjasa ta marrë fronin e Lionel Messit dhe Ronaldos pasi këta të dy t’i japin fund karrierës, përkundër lëndimeve që ia kanë penguar karrierën gjatë viteve të fundit.
Dembele u transferua në Barcelonë si zëvendësues për Neymarit dhe përderisa edhe ai ka pasur probleme të shumta shkaku i lëndimeve pas transferimit për një shumë të madhe parash, ai ka treguar shpeshherë sa i talentuar është. Ronaldo i përmendi edhe Eden Hazardin – i cili është transferuar në Real Madrid me shpresën për t’i kthyer në Santiago Bernabeu trofetë që klubi madrilen i fitonte me Ronaldon në skuadër – dhe Marcus Rashfordin – që shkëlqeu këtë sezon për Manchester Unitedin para se të lëndohej – si lojtarë që gjithashtu mund të jenë pasardhës të tij.