Kanë mbetur 90 minuta nga fundi i kampionatit 1999/2000 dhe Bajer Leverkusen kryeson me 3 pikë ndaj Bajern Mynih. Duket gjithçka gati për festën e madhe të titullit, por “aspirinat” bien kundër Unterhashing dhe humbin titullin për shkak të golaverazhit më të dobët se bavarezët. Është gjeneza e mallkimit të “Neverkusen”, një skuadër shumë e bukur, por e dënuar për të mos fituar kurrë.

Ekziston mallkimi edhe në sport, ka me dhjetëra raste në çdo cep të globit. Skuadra që nuk arrijnë të fitojnë, edhe pse gjenden në avantazh të dukshëm ndaj rivalëve. Ka raste që duket sikur e bëjnë qëllimisht, sepse nuk është e mundur që çdo herë të mallkuar e humbin shansin. Benfika është simboli i këtyre ekipeve, madje ka edhe një emër që persekuton “Shqiponjat e Lisbonës” dhe që quhet “Mallkimi i Bela Gutman“, trajnerit hungarez që pasi u largua, sepse nuk i zgjatën kontratën, shpërtheu: “Pa mua, në Europë nuk do të fitojnë kurrë asgjë për 100 vjet”. Dhe 8 finalet e humbura nga Benfika tregojnë qartë për këtë mallkim të çuditshëm.

Të paktën në Portugali klubi nga Lisbona diçka ka fituar. Ka skuadra që gjithmonë janë ndëshkuar te pjesa më e bukur, në çdo rast duke mbetur “viktima” edhe të lojës së fjalëve që mbeten në memorie, siç ka ndodhur 20 vjet më parë me Bajer Leverkusen, që u pagëzua në “Neverkusen”.

Një klub model

“Never” (kurrë) në anglisht, sepse skuadra e aspirinave nuk fitonte kurrë në atë periudhë. Në Bundesligë është ende në kuotën e 0 titujve. Në Gjermani kanë fituar tituj edhe skuadra që aktualisht bëjnë pjesë në kategoritë inferiore, si Kaizerslautern, Shtutgart, Hamburg, Eintraht Braunshvejg dhe Mynih 1860. Ka edhe skuadra që kanë shpërthyer si Volfsburgu, apo Këlni, ndërsa këtë sezon kushedi çfarë do të ndodhë me Lajpcigun.

Asgjë për Leverkusenin, që ka afirmuar shumë lojtarë, pasi forcën e vërtetë ky klub e ka në “peshkimin” e lojtarëve të dalë nga hiçi, por edhe nxjerrjen e elementëve nga sektori i të rinjve, që më pas ua ka rritur vlerën deri në katërfish. Ja një 11-sh që impresionon jo pak: në portë Leno, në mbrojtje Emre Çan (luan edhe në këtë rol), Lusio dhe Juan, në mesfushë një katërshe interesante me Emerson, Vidal, Brandt dhe Balak, Shyrrle pas dy sulmuesve, koreanit Son dhe bullgarit Berbatov. Ka edhe shumë lojtarë të tjerë të ngjashëm.

Emerson, një nga lojtarët më të mirë të Leverkusen.
Një klub model, me llogaritë në rregull, por që i ka munguar gjithmonë diçka për të qenë në majën e futbollit gjerman. Asnjë trofe ndërkombëtar përveç Kupës UEFA të fituar në mënyrë të pabesueshme, duke përmbysur gjithçka në finalen e kthimit, 3-0 ndaj Barcelonës. Tita, Gotz dhe legjendari korean Ça Bum-Kun shënuan golat, pastaj fitorja me penallti. Si braziliani Tita, ashtu edhe Herbert Vas, sulmuesi tjetër i Bajerit, më pas kaluan në Serinë A, respektivisht te Peskara dhe Bolonja. Edhe një Kupë Gjermanie në 1993-shi dhe pastaj vitrina e trofeve mbetet bosh.

Çfarë skuadre!
E shtunë, 13 maj 2000, ora 15.30, java e fundit e Bundesligës dhe situata praktikisht pritet që titullin ta fitojë Leverkusen, që ka 73 pikë, kurse Bajern Mynih 70. Janë vetëm këto dy skuadra në garën e titullit. Kanë mbetur pak gjëra për t’u vendosur, një nga skuadrat që bien (bie Ulmi dhe shpëton Hansa Rostok) dhe vendi i fundit që shkon në pareliminatoret e Championsit (Mynih 1860 kualifikohet pas barazimit me Kaizerslautern). Në krye mungon vetëm matematika dhe pastaj triumfi i Bajerit, që është gati të fitojë titullin e parë në histori. Një titull i merituar, pasi ka sulmin më të mirë me 73 gola në 33 ndeshje. Kanë shënuar 14 lojtarë të ndryshëm, një skuadër fluide me vetëm dy humbje, e fundit në shkurt, 3-1 ndaj Bajern Mynih.

Ka një Ulf Kirshten të jashtëzakonshëm, një vrasës i zonës, një sulmues profilik dhe një pikë referimi e Gjermanisë lindore, kur ende ekzistonte kombëtarja DDR. Kishte rënë në sy që te Dinamo Dresden, ishte një sozi e Gerd Mylerit, “Der Torgarant”, “garanti i golit”, siç titullohet biografia e tij.

Ul Kirshten, sulmuesi kryesor i skuadrës.
Meqë po flasim për DDR, Stefan Beinlish është violina e dytë në mënyrë surprizë, një mesfushor i avancuar mjaft elegant, një sallaks i lindur në Berlinin lindor dhe që në moshën 19-vjeçare kishte provuar fatin në Angli te Aston Vila, por nuk ia doli për arsye fizike. Me të në mesfushë dy brazilianë të ndryshëm me njëri-tjetrin, Ze Roberto në të majtë, që më pas do të përfundojë te Bajern Mynih, por veçanërisht Emerson da Rosa, i jashtëzakonshëm në punën e tij në heshtje në fushë me vrapimin e tij si një “Puma”. Është ndeshja e tij e fundit me fanellën kuqezi (mban numrin 10, por nuk është fantazist) para se të jetë një pikë referimi në Romën e Fabio Kapelos.

Pastaj edhe personazhe të tjerë, si Oliver Nojvil, i lindur në Zvicër me baba gjerman dhe nënë kalabreze. Nojvil është sulmues i dytë, pas Kirshten, ndërsa në stol qëndron braziliani me pasaportë gjermane, Paolo Rink, i cili luante rregullisht edhe në kombëtare në atë kohë. Gjermania vuante për sulmues dhe vraponte pas lojtarëve “të adoptuar”. E gjithë skuadra është në formë, në mars kishte fituar 9-1 në fushën e Ulmit. Kapiten është Jens Novotni, mbrojtës qendre, i fortë fizikisht, një lider natyral. Në krah të tij luan Niko Kovaç, kroati që së fundi ka drejtuar Bajern Mynih.

Ylli i skuadrës është numri 13, një nga lojtarët më të mirë në Europë. Ka fituar një titull në Bundesligë në mënyrë surprizë me Kaizerslauternin, në 1998-ën. Është 22 vjeç dhe quhet Mikael Balak. Edeh ai ka lindur në Gjermaninë lindore, ashtu si Kirshten, Beinlish dhe mesfushori tjetër sulmues i skuadrës, Bernd Shneider, i lindur në Jena.

Kristof Daum, trajneri i Bajer Leverkusen.
Trajneri, ndoshta më personazh nga të gjithë: është Kristof Daum, biond dhe me mustaqe, shumë për të ndryshuar atë origjinalin e DDR-së. Eksperienca si futbollist thuajse zero, kurse si trajner është autor i disa kryeveprave, duke nisur nga finalja e Kupës UEFA në 1986-ës, në moshën 32-vjeçare, si zëvendëstrajner i Këlnit. Në 1992-shin kampion i Gjermanisë me Shtutgartin. Ka ngjitjet e veta, por edhe ulje nga më absurdet, si për shembull gafa e pabesueshme në Kupën e Kampionëve, kur ndaj Lidsit nuk e vuri re që kishte hedhur katër të huaj në fushë, kur maksimumi i lejuar ishte tre: Dubajiç, Sverrison, Knup dhe Simanic, dy të fundit të aktivizuar nga stoli. UEFA e kupton këtë gjë dhe 4-1 në fushë bëhet një fitore 3-0 në tavolinë për Lidsin, duke barazuar 3-0 e ndeshjes së parë në Shtutgart. Pas një beteje juridike, duhet një ndeshje shtesë, e fituar 2-1 nga anglezët. Për Daum në atë kohë tabloidët anglezë përdorën titullin “Christoph Dumb“, pra “Kristof budallai”.

Gjithçka në 17.5 kilometra
Unterhashing është një qytezë prej 20 mijë banorësh, 10 kilometra larg Mynihut, një satelit punëtorësh i kryeqendrës së Bavarisë, një bastion i Partisë Socialiste në një rajon ku dominojnë kristian-socialistët e CSU, kushërinjtë e CDU (partia e Angela Merkel), por më konservatorë. Sepse Baviera është katolike, por Unterhashing është një tip bote “e kuqe” e veçuar.

Rraklli në dyluftim me Balak gjatë ndeshjes.
Në vitin 1999, për herë të parë skuadra e futbollit u ngjit në Bundesligë dhe siguroi qëndrimin edhe për sezonin pasardhës. Renditej e 10-ta në tabelë, pa objektiva. Një meteor në Bundesligë, duke parë që pas 12 muajsh do të binte nga kategoria për të mos u kthyer më në elitë, përkundrazi, sot noton në kategoritë inferiore. I ka shkuar më mirë këtij klubi në volejboll, ku tri herë ka fituar Kupën e Gjermanisë dhe është shpallur nënkampion në 2009-ën dhe 2010-ën. Por sot skuadra e volejbollit nuk ekziston.
Unterhashing është skuadra klasike që mbahet në këmbë nga faktori fushë (nga 41 pikë në total, 32 i kishte marrë në shtëpi), nga një grup lojtarësh të konfirmuar në kategorinë e dytë, me shumë grintë dhe të fortë fizikisht. Yjet e skuadrës janë shqiptari Altin Rraklli dhe sulmuesi rezervë Andre Breitenreiter. Janë të vetmit në skuadër që kanë luajtur në Bundesligë më parë, bashkë me Marko Haber.

Ndeshja e parë në Leverkusen kishte përfunduar 2-1 për Bajerin, me 2 gola të Bradariç, pas avantazhit të Zimerman. Një ndeshje drithëruese. Në rastin më të keq, “Aspirinave” do t’u mjaftonte një barazim në “Sportpark”, një stadium prej 15 mijë spektatorësh që atë pasdite ishte tejmbushur nga tifozët e ardhur nga Leverkusen, të bindur se do të ishin prezentë në një ditë historike, në titullin e parë në 96 vjet. I pranishëm është edhe Oto Shili, Ministri i Brendshëm (socialist, sigurisht) i qeverisë Shrëder, tifoz special i Unterhashing, edhe pse është nga Bohumi,. Ai ishte kthyer në kolegjin e tij elektoral, ku gjithmonë ishte zgjedhur, në një bavarez të adoptuar.

Brazilini Ze Roberto, një nga titullarët e Leverkusen.
Në 17.5 kilometra distancë është e sigurt se Bajern Mynih do të mundë Verder Bremenin, i kualifikuar për në Kupën UEFA, pasi kishte shkuar në finalen e Kupës së Gjermanisë, ku humbi pikërisht ndaj Bajernit 7 ditë më parë. Pra, një skuadër që nuk do të jepte shpirtin në fushë në javën e fundit të kampionatit, ndryshe nga sa do të bënte Unterhashing. Mjaftonte një barazim për Leverkusenin, por Daum nuk heq dorë nga 11-shja tip e tij, një formacion ultraofensiv, pasi luajnë Kirshten, Nojvil, Ze Roberto, Balak dhe Beinlish, plus Shneiderin që shtyn përpara. I vetmi që mbetet në mes të fushës në këtë 3-4-2-1 që ka dhënë spektakël, është Emerson.

Pas çerek ore lojë, Bajerni kryeson 3-0 (2 gola Janker dhe 1 Paulo Serxho). Fitorja arkivohet, edhe pse shënon Bode për Verderin. Veshët janë në “Sportpark”. Pas 5 minutash vjen një britmë: gol. Po, dikush ka shënuar dhe është Unterhashing, në mënyrën më pak të pritshme. Një aksioni i lindur nga një rivënie anësore, largon mbrojtja e Bajer Leverkusen, kros pa pretendime nga e djathta e Shvarc, ku shokët e skuadrës kërkojnë të evitojnë pozicionin jashtë loje, te pika e penalltisë ka vetëm lojtarë miq, vetëm fanella të bardha, por askush nuk e mendon se Balak, në sparkatë, pas asnjë sens, e dërgon topin në rrjetën e tij. Portieri Matusek mbetet i ngrirë, Emerson vrapon të marrë topin dhe të nisë lojën menjëherë për të mos u kapur nga paniku, ndërsa Balak mbetet i shtrirë në tokë.

Oliver Nojvil, sulmuesi i Leverkusen.
Reagimi i miqve është inekzistent. Beinlish tenton nga një goditje dënimi, por jashtë, në tribunë Rudi Fëler, drejtori sportiv i “Aspirinave”, fillon të shohë orën i nervozuar. Nuk dihet çfarë ka thënë Daum në pushimin e ndeshjes, e sigurt është se ai bën ndërrimin që vret ambiciet e tij dhe të skuadrës: jashtë Zivkoviç, një nga tre mbrojtësit dhe në fushë Rink, Nojvil dhe Ze Roberto tërhiqen si mbrojtës krahu dhe Bajeri rrezikon shumë me kundërsulmin e Unterhashing. Dhe në një të tillë vjen goli i dytë: kros i Seitz dhe goditje me kokë e Oberleitner, i dalë nga moshat e Bajern Mynih, topi përplaset në shtyllë dhe pastaj shkon në rrjetë. Shkatërrim total: në klasifikimin final dy skuadrat pretendente kanë nga 73 pikë, por Bajern Mynih ka shënuar më shumë gola (+45 ndaj +38 të Leverkusen).

Në shkallët e stadiumit “Sportpark” tifozët miq qëndrojnë edhe pas vërshëllimës përfundimtare, duke qarë. Një stadium i vogël, i mbledhur, atmosfera ishte perfekte, gjithçka për të festuar si një familje, por në fakt vjen drama sportive. Lojtarët, pas dushit, para se të largohen, përshëndesin ata që i kanë mbështetur, por nuk kanë fjalë për të thënë, vetëm lot. “Askush nuk foli në dhomat e zhveshjes, ishte një heshtje varri”, – ka thënë Daum, i cili më pas do të akuzohej për përdorim kokaine dhe orgji me prostituta, duke djegur kështu karrierën e tij dhe duke humbur shansin për të drejtuar kombëtaren gjermane.

Në Mynih ka shpërthyer festa, me Otmar Hitzfeld, trajnerin e Bajernit, që pranon: “Ndoshta titullin e meritonte Bajer Leverkusen”. Një Bundesligë që ndryshoi pronar atë pasdite bavareze, në më pak se 20 kilometra distancë. “Meisterschale” (trofeu i kampionit), gati t’i dorëzohej Novotnit në Unterhashing, përfundoi në duart e Stefan Efenberg, kapitenit të Bajern Mynih, titulli i 16-të kampion në Gjermani për bavarezët kundrejt 0 të Leverkusen.

Zero do të mbeet kjo kolonë edhe 2 vite më pas, kur në pak javë Bajer humb Kupën, Bundesligën sërish (çon dëm 5 pikë avantazh në 3 javët e fundit), por edhe Championsin në Gllasgou, kundër Real Madridit. Aty lindi dhe termi “Neverkusen”, skuadra që nuk fiton kurrë. Një tripletë e shpërdoruar, por gjithçka kishte lindur atë pasdite në Unterhashing. (Gazeta Si)