Në Gjermani nga e hëna është vendosur detyrimi i mbajtjes së maskës në shumë ambiente publike, si supermarkete apo në qarkullimin urban. Si land i fundit e vendos detyrimin e maskës të mërkurën edhe Saksonia.
Në qarkullimin urban, në supermarkete, dyqane, qytetarët gjermanë duhet të mbajnë nga e hëna maska mbrojtëse, prej pambuku të qepura vetë ose edhe shall pambuku. Por landet kanë rregullore të ndryshme për mbajtjen e maskave. Në landin Renani-Veriore Vestfali për shembull maskat duhen mbajtur edhe në stacione autobusi, në taksi, bankë, pika karburanti, postë apo klinika. Si land i fundit e vendos detyrimin e maskës të mërkurën edhe Saksonia.
Detyrimi i maskës është prej moshës 6 vjeç dhe nuk vlen për njerëzit e sëmurë apo shpesh edhe për punonjëset në kasë. Në shkolla, për nxënësit e klasave të maturës nuk është detyrim mbajtja e maskës në mësim, por rekomandohet në korridore apo në oborret gjatë pushimit.
Lidhur me gjobat në rast të shkeljeve, shumë lande gjermane në fillim do të reagojnë të rezervuara. Fillimisht do të jepen paralajmërime, por në raste të caktuara do vendosen edhe gjoba. Në Berlin apo Saksoni-Anhalt thuhet se nuk do të ketë penalizime. Në Renani-Veriore Vestfali u lihet në dorë komunave vendosja e gjobave. Bavaria është më e rreptë. Në rast të shkeljeve në publik vendosen gjoba deri në 150 euro. Për ata pronarë dyqanesh apo qendrash ku vihen re shkelje të detyrimit të maskës mund të vendosen gjoba deri në 5000 euro.
Ndërkohë të hënën Bundeswehri solli më shumë se 10 milionë maska profesionale për mjekët e infermierët nga Kina. Ministrja e Mbrojtjes, Anngeret Kramp-Karrenbauer i mori maskat në Leipzig në dorëzim, nga ku ato do të shpërndahen tek ministritë e Shëndetësisë së landeve. Kramp-Karrenbauer theksoi rëndësinë e furnizimit. Vendimi për lirime të mundshme të masave të Coronës “varet shumë nga sigurimi i pajisjeve duhura mbrojtëse”, tha ajo. Aktualisht 15.000 ushtarë gjermanë janë aktivë në luftë kundër Coronës. DW