Paulo Dibala është ende në periudhën e tij të rikuperimit pasi ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar që nëpërmjet Instagram të ketë një bisedë live me legjendën e Juventusit, Alesandro Del Piero.
Mes shumë temave që folën së bashku, Dibala dhe Del Piero, interesante ishte momenti kur argjentinasi i tregoi ish-sulmuesit se në një ankand e kishte humbur fanellën e sezonit 2010-2011 të Del Pieros për vetëm 10 euro.
“Thashë me vete: Duhet ta marr me patjetër atë fanellë, duhet ta kem. Futem te ky uebsajt me llogarinë e të dashurës time që njerëzit të mos e dinin që isha unë.
Tani nuk e mbaj mend shifrën, por aty nuk jepej kush ishte më e larta. Vendosa shifrën time dhe ajo ishte më e larta për tre ditë. Prita dhe vetëm prita. Nëse dikush bënte një ofertë më të lartë të vinte një e-mail.
Mungonin dhe pesë orë e unë po prisja. Isha gati të festoja, por në fund fare dikush bëri një ofertë më të lartë dhe e humba fanellën për 10 euro. Kur doja të bëja një kundërofertë nuk pata më kohë. Isha shumë i nervozuar. Ishte e pabesueshme”, u shpreh Dibala.