Një infermiere britanike u ka dërguar mesazh njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi, duke treguar e përlotur se si shërbimi shëndetësor ishte në gjunjë për shkak të koronavirusit.
Shirley Watts, infermiere operative e Spitalit Universitar Basildon në Essex, nuk mban dot lotët, teksa tregon se sa po luftojnë ekipet mjekësore ndërsa përpiqen të frenojnë valën e pacientëve me koronavirus. “Ne jemi shumë pak në staf.
Gjërat janë vërtet të vështira dhe të gjithë po mundohemi. Nëse qëndroni brenda, nuk infektoheni dhe nuk e përhapni atë, kjo heq presionin nga ne, sepse ne jemi të gjithë të gjunjëzuar për momentin.
Po mundohemi të shpëtojmë jetë, të gjithë jemi duke bërë vetëm atë që mundemi për të shpëtuar secilin dhe dua që ju të më shihni kështu, sepse dua që njerëzit të kuptojnë se sa serioze është. Nëse njihni dikë që po del jashtë kur nuk ka nevojë për të dalë – sepse po shohim grupe njerëzish – unë dua që t’u thoni diçka atyre: “Duhet të qëndroni brenda dhe duhet të ndaloni përhapjen e tij, duhet të ndaloni të mos prekeni prej tij”.
Që kur Britania hyri në “karantinë”, njerëzit në përgjithësi i kanë respektuar rregullat për të mos dalë. Por moti i ngrohtë i kësaj fundjave ka parë qindra njërëz, duke injoruar rregullat e distancës sociale. Shirley, e përlotur, shton:
“Unë e di se njerëzit po e vlerësojnë atë që ne po bëjmë, se ne po qëndrojmë larg familjeve tona dhe po rrezikojmë veten duke u përpjekur të shpëtojmë të dashurit e njerëzve të tjerë. Duket si një betejë humbëse, por nuk është kështu, sepse të gjithë kemi shpresë dhe të gjithë po përpiqemi të bëjmë atë që mundemi”.
Shirley e regjistroi këtë mesazhi sapo kishte mbaruar një turn gjashtorësh e po shkonte në shtëpi për të fjetur para se të kthehej për një turn tjetër.