Siç ka ndodhur tashmë në seancat e fundit të merkatos, Federico Chiesa pritet të jetë një ndër lojtarët më të dëshiruar ndonjëherë në Itali. Xhevahiri i Fiorentinës ka qenë prej kohësh në radarët e Juventusit dhe Interit. Për disa muaj, lamtumira e tij nga Firence mund të materializohet.
Siç raportohet nga “Tuttosport”, marrëdhëniet joidilike midis presidentit Commisso dhe Juventusit mund të bëjnë që rruga për bardhezinjtë të jetë më e përpjetë (më 2019, ata gjetën një marrëveshje me babanë e Chiesa), çka favorizon zikaltrit. Conte ka identifikuar elementin e duhur te Chiesa për të forcuar krahun e djathtë të Interit.
Në çdo rast ai e di se është një lojtar jashtëzakonisht fleksibël, që mund të veprojë, gjithashtu, si sulmues kryesor, ose pas sulmuesit të parë. Të shkohet drejt “tymit të bardhë” nuk do të jetë shumë e lehtë, duke marrë parasysh që etiketa e talentit vjollcë është akoma 60 milionë €.
Klubi nga Milano, nëse shet Icardi, ose Lautaro Martinez, do të rimbursojë shumë para, ndaj nuk do ta ketë problem të plotësojë kërkesat e Fiorentinës. Megjithatë, ideja e Marotta është akoma të ofrojë jo më shumë se 20, ose 30 milionë euro, duke përfshirë në marrëveshje dy lojtarë të tjerë.
Emri i parë është Dalbert, i cili vlerësohet rreth 12 milion euro dhe tashmë e ka veshur fanellën e Fiorentinës, këtë sezon, ku është huazuar. Përveç kartonit të brazilianit, Interi mund të vinte në pjatë edhe Nainggolan, nëse Cagliari nuk do të ishte në gjendje ta blinte belgun. Mesfushori në fjalë ka qenë preferencë e vjollcëve edhe verën e kaluar, kur vendosi, për arsye familjare, të kthehej në Sardenjë.
Në këtë rast, Interi mund të ndihmonte në uljen e kërkesave ekonomike të Radja, me një pagë të veçantë, gjë që do ta ndihmonte Fiorentinën. Në mesin e opsioneve në dispozicion do të jenë edhe Gagliardini, Pinamonti dhe Zinho Vanheusden.