Nga Julio Cesar te Samir Handanovic. Për të mos përmendur të kaluarën: Sarti, Zenga, Toldo etj. Porta e Interit ka qenë gjithmonë në duar të sigurta. Megjithatë, duke parë mbrapa, atë që ndodhi disa vite më parë, nuk ishte e qartë prania e gjigantit slloven në Milano, me zikaltrit.
Ndoshta jo të gjithë e dinë këtë, ose jo të gjithë e mbajnë mend se Handanovic e ka veshur fanellën e Lazio, e cila mund të konsiderohet sot një rival i Interit. Për një periudhë të shkurtër, sigurisht jo domethënëse, por e veshi atë. Në pjesën e dytë të sezonit 2005-2006, për të qenë të saktë. Për vetëm gjashtë muaj, përpara se të ndiqte shtigje dhe brigje të tjera.
Handanovic, pronë e Udinese, kishte filluar atë vit startues me Treviso. Debutimi ishte një makth ndaj Interit: 0-3, “hat-trick” i Adriano. Në janar, lamtumirë Veneto. Portieri slloven, 22 vjeç, me një lartësi tashmë të konsiderueshme, paketon çantat e tij dhe mbërrin në Romë, në anën e Lazio, gjithnjë në huazim dhe në këmbim të Matteo Sereni.
Aventura zgjati vetëm gjysmë kampionati dhe 90 minuta aktivizim. Pikërisht ato minuta, kur Handanovic luajti në Parma (1-0), më 14 maj 2006, në javën e fundit. Pastaj erdhi ndarja. Samir kthehet te Udinese, me lacialët që nuk mendojnë ta blejnë kartonin e tij. Dhe për ta bërë këtë, siç përsëriti disa kohë më parë ish-partneri i tij, Marco Ballotta, në “Sky Sport”, çmimi do të ishte i papërfillshëm:
“Ai ishte i ri, por mund të shihnit një portier të vërtetë. Lazio kishte mundësinë që ta blinte me një çmim vërtetë të ulët, por e lejoi të ikte. Ishte një mundësi për të mos u humbur, sepse në ato kohë kemi pasur disa probleme me portën. Sa kushtonte Handanovic në atë kohë? Një milion… ”
Lazio është në duar të mira, me Strakosha, por keqardhja mbetet. Gjithashtu, sepse Handanovic do të tregonte pothuajse menjëherë se ishte një portier i destinuar për faza të mëdha. Së pari në Rimini, në Serie B, në formacionin e bukur, të udhëhequr nga Leo Acori; më pas në Udine, ku do të fitonte vëmendjen dhe ofertën e Interit.