Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një komunikatë në orët e para të mëngjesit të sotëm njofton se janë shënuar 6 raste të reja me COVID-19 në Kosovë (608 në total), janë shëruar 5 pacientë (128 në total) dhe 3 pacientë kanë humbur jetën (18 në total).
IKSHPK informon se deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 191 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej gjashtë (6) raste.
Rastet pozitive janë raste kontakti, dy (2) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe dy (2) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një (1) rast Pejë dhe një (1) rast Llugaxhi).
Në datën 21 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast vdekjeje, e gjinisë femër me moshë 40 vjeç me vendbanim në Gjakovë dhe e konfirmuar me COVID-19 me datë 15.04.2020. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe trajtuar në Mjekimin Intensiv me Dg.COVID-19, Graviditas hbd 28.
Komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit kanë raportuar nga një (1) rast vdekjeje.
Gjithashtu janë shëruar edhe pesë (5) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tetë (128) raste.
Nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e katër (604) raste, ndërsa gjithsej tetëmbëdhjetë (18) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i detyruar të vetizolohen dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma të sëmundjes COVID-19.
Deri sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje në total 6.514 kontakte të rasteve.