Eduart Gjokutaj
Fiscal Analyst – ALTAX

Frika nga ardhja e krizës financiare, si pasojë e goditjes nga fatkeqësitë e paparashikuara po rritet ditë pas dite. Kryelajmi se kriza në sistemin financiar mund të ndodhi përsëri, por me një forcë edhe më të madhe se deri më sot është kthyer për të gjithë njësoj si parathëniet e Kasandrës.

Qeveritë dhe Bankat Qendrore edhe pse shumica u kapën në befasi po miratojnë dhe ndërmarrin gjithfarësoj veprimesh monetare dhe fiskale për të ndaluar shkatërrimin me efekt domino të sistemit financiar ende të dobët nga kriza e fundit e sistemit para më shumë se 10 vitesh.

Parandalimi i një tjetër krize të madhe financiare, që do të ishte jo vetëm shkatërruese për sistemin aktual financiar, por edhe atë politik, ekonomik dhe rendin social është sfida më e madhe e botës sot.

Vendimi i politikës për përdorimin e parave të taksapaguesve në raste të tilla fatkeqësish është veprim i detyruar për të reaguar në rrethana të tilla befasie.

Tanimë, që koha na ka prurë këtu ku jemi është momenti të kërkohet sqarim se çfarë ka mangut sistemi dhe që duhet ta kishte të sigurtë, si dhe çfarë mësime nga historia kanë shërbyer për të parandaluar një tragjedi te ardhme, pasi në fakt sistemi duket më pak rezistent dhe i lodhur tej mase.

Sa afër dhe larg është Shqipëria me gjithë këtë histori dhe sa preket ajo nga këto valë goditëse?

Prej disa vitesh në Shqipëri ka një situatë të financave publike më të qartë se më parë, me një borxh publik drejt uljes. Banka Qendrore herë pas here kërkon të përhapë një politikë monetare që synon të nxitë kreditimin në ekonomi. Buxheti tenton çdo fillim viti një ritëm rritje të të ardhurave të buxhetit, por performanca e administratës ja pret parashikimin dhe në fund realiteti i sundimit të politikës mbi ekspertizën fiton në kurriz të konsolidimit fiskal.

Me këtë situatë, së pari, informaliteti dhe evazioni janë “armiku i dukshëm”, që ende mban në duart e tij burimet, që duhet të shfrytëzojë buxheti, për të rritur performancën e tij. Lufta ndaj tij edhe pse e vështirë duket se i ka konsumuar kapacitetet e qeverisë. Përpjekja që teknologjia e fiskalizimit të godasë këtë armik është e mirë, por si shumë nisma të tjera mund të ngecë rrugës.

Së dyti, polarizimi në rritje lidhur me shpërndarjen e prodhimit kombëtar dhe vlerës së shtuar nga rritja ekonomike ka deleguar disa garanci për përballimin e krizës në duar të pasigurta për njerëzit.

Së treti, në Shqipëri nuk egziston ende një treg financiar që të ketë organizimin, ndërlidhjen dhe formalitetin që kanë tregjet e vendeve të zhvilluara ekonomike. Tregu financiar është i vogël dhe jep e merr me ekonominë informale duke qenë peng i moszbatimit të plotë të kuadrit ligjor.

Politika e financave publike dhe ajo monetare deri më sot kanë përkuar në idenë e mbajtjes së një rigoroziteti në uljen e shpenzimeve duke synuar uljen e borxhit publik me instrumenta lehtësuese për nxitjen e kreditimit për investime dhe stimulimin e konsumit.

Nëse analizojmë faktet dhe statistikat duket, se nxitja e rritjes se ekonomisë dhe konsumi kanë humbur konfidencën te politika dhe nuk është i mundur një rikthim i afërt i rritjes ekonomike.

Nëse qeveria e kthen në të vetmin qëllim financiar të saj uljen e borxhit publik, përveç arritjes me halle të këtij treguesi, nga ana tjetër ajo ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse dhe ndikimin për keq të rritjes ekonomike duke kufizuar shfrytëzimin plotësisht ato pak kapacitete në dispozicion.

Nëse taksa e korrupsionit nuk ulet ky është një problem i madh për investimet dhe ekonominë.

Nëse meritokracia vijon të mbetet e pazbatuar ky është një tjetër problem madhor për administrimin e vendit dhe përballimin e situatave të vështira.

Nëse nuk ndërthuren politika konvencionale e financave publike me atë monetare duke synuar përdorimin e mekanizmit të kohës së luftës, si: Lehtësimi Sasior duke avancuar me kujdes me Financimin Direkt Monetar, atëherë do të ngopet tregu me lajme paketash në ndihmë të biznesit, por ekonomia do të mbetet anemike dhe do humbasë me tej konkurueshmërinë në raport me fqinjët dhe nevojat e zhvillimit. Paratë duhet të shkojnë për konsumin dhe njerëzit, por jo për të likujduar borxhet e bankave dhe shoqërive të mëdha.

Nëse paratë aktuale për pagimin e 10% të punonjësve të tregut formal të punës do të shkojnë në duart e tyre, natyrshëm që do ndikohet direkt rritja e fuqisë blerëse. Por kjo është pak edhe pse veprim i mirë për të shkuar radhen. Kjo kategori e konsumatorëve, paranë që do të përfitojë njëherësh, si kompensim të njohur me ligj do ta përdorin në blerje të mirash matëriale në tregun e limituar të mallrave nga importi, si dhe në marrjen e shërbimeve të kufizuara në një ekonomi me pak përdorim të teknologjisë informatike.

Nga ana tjetër, kjo rishpërndarje e të ardhurave buxhetore, që afektojnë direkt tregun me disa miliarda lekë do të krijojë probleme në ambjentin e mbushur me pabarazi në zbatimin e ligjit.

Qeveria duhet të vendosi të miratojë përzierjen e duhur midis mbështetjes direkte për familjet/ punonjësit, përmes mbështetjes për firmat që i punësojnë ato në varësi nga rrethanat specifike.

Modelet e prezantuara për këtë qëllim nëpërmjet Paketës A janë duke filluar të funksionojnë (a) me lehtësitë e përkohshme në pagimin e taksave, (b) me pagimin e përkohshëm të shpenzimeve për bizneset, (c) me krijimin e mundësive për kreditim të bizneseve nëpërmjet garancisë së buxhetit.

Por, subvencionet direkt nga qeveria për biznese që përbëjnë garantim të vijimit të ekonomisë në të ardhmen për të ruajtur sigurinë kombëtare si dhe zbatimin e nismave strategjike duhet të jenë objekti i pritshëm i paketës B, qe pritet te hidhet në zbatim.

Çfarë duhet të vijojë tashmë të bëhet me mirë lidhet me përshtatjen e këtyre paketave me specifikat e ekonomisë dhe informalitetit.

Për shembull, në disa qytete apo zona mund të jetë më e lehtë për të arritur familjet sesa firmat e vogla ose të vetëpunësuarit, veçanërisht aty ku ka me tepri ekonomi informale.

Ndërsa hiqen masat e kufizimit, mbështetja specifike me paketat A e B duhet të tërhiqet ndoshta në favor të një stimulimi më të përgjithshëm për të rifilluar ekonominë.

Vendimet dhe njoftimet e qeverisë duhet të kenë transparencë lidhur me kostot, barazinë dhe të jenë të monitoruara për të mos u degraduar nga ambjenti aktual politik dhe ekonomik. Qeveria duhet të sigurojë që mekanizmat për të kontrolluar dhe monitoruar ekspozimin e rriskut nga garancitë, detyrimet e tjera të mundshme dhe operacionet fiskale janë realisht duke funksionuar për zbutjen e situatës.

Ndërkohë, garancia sovrane për kreditimin në këtë situatë duhet së paku të tejkalojë gabime dhe difekte nga përvoja e kaluar, përfshirë kohën e krizës globale financiare. Veprimet nga bankat mund të jenë efektive, por gjithashtu përfshijnë rrisqe fiskale dhe kosto. Bankat që do të përdoren për të luftuar krizën e kredisë private për të mbështetur ekonominë do te kërkojnë fonde shtesë për të ruajtur stabilitetin financiar. Injeksione të mëdha kapitali ose huate për bankat mund të bëjnë presion mbi buxhetin, që tashmë ka nivel të lartë borxhi publik.

Nisur nga gjithë kjo programet buxhetore duhen ribërë. E para për te çuar fondet e papërdorshme te buxhetit drejt shëndetësisë dhe nevojave te krizës se pritshme, si dhe e dyta rillogaritjen e të ardhurave për të parë se çfarë duhet kërkuar për te korrigjuar për këtë vit dhe tjetrin e tjetrin.

Thënë te gjitha këto komente, kriza financiare edhe nëse vjen nuk do te ndaloje ne Shqipëri, pasi nuk ka terren për t’u zhvilluar dhe përhapur.

Shqipëria duhet te përdore ketë kohe për te nxjerrë mësimet e veta për të RIBËRË llogaritjet se si te shfrytëzohet kapacitetet dhe përdorë me atdhedashuri burimet për te dalë nga kati i fundit i te ardhurave për frymë.