Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar oraret dhe vendet nga ku do të kryhen fluturimet për riatdhesimin e shtetasve shqiptarëve për ditët në vijim. Sipas njoftimit, ditën e sotme janë katër fluturime Tiranë-Bari, Bari-Tiranë, Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë.

Në datën 21 Prill do të jenë fluturimet Tiranë-Frankfurt dhe Frankfurt-Tiranë, në datën 22 Prill do të jetë fluturimi Tiranë-Londër dhe Londër-Tiranë ndërsa në datën ndërsa në datën 23 Prill do të jetë fluturimi Tiranë-Paris dhe Paris-Tiranë.

Deri më tani “Air Albania”, ka kryer fluturime riatdhesimi nga Stambolli, Roma dhe Milano. Krahas riatdhesimit të shtetasve shqiptarë, të cilët duan të kthehen në atdhe, kanë udhëtuar drejt Italisë edhe shtetas të huaj, të cilët kanë zgjedhur të largohen nga vendi ynë, si dhe shtetas shqiptarë rezidentë në Itali.

Personat e riatdhesuar, pas kontrolleve mjekësore në aeroportin e Rinasit, janë drejtuar për në Durrës në hotelet e përzgjedhura për karantinë ku do të qëndrojnë aty për 14 ditë. E gjithë procedura e riatdhesimit mund të aksesohet on-line duke klikuar në faqen zyrtare të “Air Albania”.