Qendrat e kontrollit teknik të automjeteve rifillojnë punë ditën e martë, datë 14 prill 2020, fillimisht me shërbimin për mjetet e transportit dhe shpërndarjes së mallrave e furnizimeve, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.Gjithashtu, rinis funksionimi edhe i arkave të pagesës së taksave vjetore dhe tarifave të patentave, që ishte bllokuar që prej më shumë se një muaji.
Aktualisht, makinat lejohet të qarkullojnë edhe pse mund t’u ketë kaluar afati i pagesës së taksës së përvitshme dhe ai i kolaudimit. I vetmi dokument që nuk është pezulluar është siguracioni, i cili mund të blihet edhe online. Por tani situata edhe në këtë drejtim po shkon drejt normalizimit. Autoritetet sqarojnë se për çdo makinë duhet të rezervohet kontrolli në qendrën që i përket zonës së tij të regjistrimit, ku kërkohet të plotësohet detyrimisht në fushën e emrit ose mbiemrit edhe numri serial i pullës së taksës vjetore të paguar (përbëhet nga 2 shkronja e 6 shifra).
Drejtuesit e mjeteve të paraqiten me maskë fytyre e doreza dhe të kenë në kabinë solucion dizinfektant për sipërfaqet e brendshme të kabinës. Xhamat anësore të lihen gjysmë ose plotësisht të ulur.Ndërkohë, kush kërkon të rinovojë lejen e drejtimit të makinës apo të paguajë taksat vjetore nga nesër mund të drejtohet në sportelet e drejtorive rajonale të shërbimit të transport. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit njoftoi se nga 14 prilli rifillon të gjitha shërbimet në sportel në oraret 08:00-16:00 nga dita e hënë në të premte.