Në këto muaj karantinimi kemi parë e dëgjuar gjithçka, por zërat më të padurueshëm janë ato të korbave që shpresonin, luteshin dhe parashikonin që Covid do të shkaktonte në Shqipëri një masakër. Në krye të listës së profetëve të vdekjes është sigurisht Sali Berisha (që siç e ka pranuar vetë, nuk është më as doktor), i cili lajmëroi se të vdekurit nga Koronavirusi nuk ishin 20 rastet e deklaruara, por të paktën 200 ose 300. Tani zbuluam se duke mos qenë më doktor, Berisha ka gjetur një konsulent për të shpikur skena makabre. Këtu hyn në skenë Taulant Muka i ftuar si epidemiolog ekspert nga disa ekrane studiosh televizive, nga të cilat ka terrorizuar opinionin publik me parashikimet e tij katastrofike të përdorura pastaj nga sb.

Ky djalosh, të cilin Edi Rama pati kurajon (e pabesueshme) ta emëronte zëvendësministër arsimi (pastaj për fat ai vetë e kuptoi se ishte e tepërt dhe dha dorëheqjen), parashikoi se Covid në Shqipëri do të shkaktonte një masakër. Duke luajtur me grafikë (dhe me besimin e njerëzve), Taulant Muka me datë 25 mars 2020 parashikoi se “brenda 18 prillit 2020” nëse të gjitha masat e marra do të funksiononin, do të kishte mes 250 dhe 300 të vdekur!! Sot që jemi me 18 prill 2020 të vdekurit janë 26. Por djaloshi që ka frymëzuar edhe ish-doktorin, parashikoi edhe se brenda ditës së sotme do të kishim mbi 3500 raste të sëmurësh rëndë në spitale dhe mbi 1000 të sëmurë në terapi intensive. Në të vërtetë sot kemi 32 raste në spitale dhe vetëm 11 në terapi intensive.

Të shpërndash panik nuk është vetëm një veprim i papërgjegjshëm. Ne nuk presim arrestimin e djaloshit megalloman, por shpresojmë që kjo supergafë e tij të shërbejë si leksion të paktën për ata kolegë gazetarë që akoma e dëgjojnë dhe i japin hapësira publike për të shpërndarë shpifjet dhe parashikimet katastrofike të tij e të mësojnë se as për të dhe as për sb nuk duhet të ketë hapsira nga asnjë media për gënjeshtra mbi pandeminë. Mjafton koronavirusi për të shtirë frikë, nuk duhen edhe këta korba.