Tiranë, 16 Prill – “Faza e dytë e strategjisë për ri-hapjen e kujdesshme, hapat e të cilës do varen nga të dhënat e kurbës epidemiologjike dhe nga kapacitetet monitoruese dhe ato të sistemit shëndetësor. Ndaj për të kompletuar këtë strategji duhet të disponojmë të gjithë instrumentat edhe ato ligjore”. Gjatë fjalës saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, se ndryshimet ligjore të propozuara e vendosin Shqipërinë në një linjë me vendet e tjera që po luftojnë kundër COVID-19.
“Ndryshimet që po propozojmë në Ligjin e Sëmundjeve Infektive, e në ndryshimet në Kodin Penal e që lidhen me situatën e epidemive, jo vetëm që na vendosin në një linjë me vendet e tjera, që këto dispozita i kanë patur të parashikuara, por mbi të gjitha nëse duam të kalojmë në fazën e tranzicionit të bashkëjetuarit më këtë Virus, do të duhet të kemi të gjitha armët për ta luftuar atë. Ndaj rritja e përgjegjësisë individuale, e ndërgjegjjes qytetare është esenciale me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit publik. Sipas dëmit duhet të jetë dhe ndëshkimi, për këdo që cënon lirinë dhe jetën”, tha Manastirliu.
Duke u shprehur së po propozohet të forcohen masat përmes amendimeve ligjore për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe për të siguruar shëndetitin e tyre, Manastirliu apeloi që qytetarët të vazhdojnë të zbatojmë masat e vendosura.
“Një thirrje për qytetarët, dhe do kërkoja dhe ndihmën tuaj të nderuar deputetë, për të perçuar lajmin tek çdo qytetar që lufta me këtë virus fitohet nëpërmjet distancimit social, zbatimi i vetëkarantinimit, izolimi është thelbësor nëse duam ta fitojmë pa shumë humbje këtë luftë”, mbylli fjalën e saj Manastirliu.